E Shtunë, 31 Tetor 2026

NUK E DUA PERËNDIMIN, JAM I PRERË PËR SOCIALIZMIN...



Me Fehmi Frashërin u njoha për herë të parë në kampin namëzi të burgosurve politikë të Spaçit, rastësisht, sepse flinim me krevate afër njëri-tjetrit, në të njëjtin kapanon (fjetore me dërrasa të cilat për kollaj, sa për të futur kokën, shteti komunist i ndërtonte me pak shpenzime për të burgosurit nëpër kampet e punës, si edhe për “vullnetarët e Enverit” që ndërtonin hekurudha, rrugë ose tarraca maleve dhe kodrave, për t’i bërë ato pjellore porsi fushat...(!)) I gjatë, i hollë, me tëmtha të thinjura, me një lëkurë të bardhë, si fisnikët e dikurshëm të Evropës... ai na u prezantua, mua dhe vëllait tim, Caushit, të dënuar të dy për agjitacion e propagandë, thjesht, sinqerisht e me shumë njerëzi. “Më vjen keq për ju, dy vëllezër kaq të rinj këtu, në Spaç ... vetëm sepse jeni kaq të mirë e inteligjentë dhe bijtë e një babai nacionalist”, - na tha pas ca ditësh, kur vetëm sa ishim përshëndetur. “Andej, nga vij unë, këto marrëzi kanë marrë fund qyshkur. Nuk të dënon njeri më pse je i biri i filanit apo i fistekut. Në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera socialiste nuk dënohen njerëzit më për arsye të biografisë. Këto i bënte dikur regjimi i Stalinit. Ndërsa këtu, në Shqipëri, vazhdon ende stalinizmi, me kultin e Enver Hoxhës, vetëm ngaqë ky do pushtet të pakufizuar, ndryshe do të kishte vepruar si udhëheqësit e tjerë të kampit socialist, që e luftojnë stalinizmin. Por, po të bëj si ata është i detyruar të jap llogari para popullit për të gjitha krimet e bëra deri tani, si nxënës i zellshëm i Stalinit...”. Ish-atasheu ekonomik i ambasadës shqiptare në Çeki nuk pranoi të kthehej më në Shqipëri, sapo ambasadat shqiptare nëpër vendet e kampit socialist, morën urdhër për t’u larguar përgjithmonë nga shtetet e këtij “Kampi” tashmë “revizionist” e “tradhtarë të stalinizmit”, siç e quante Enveri. Ai kërkoi strehim politikë në Moskë. Dhe ata ia dhanë menjëherë. Madje e angazhuan në emisionin që jepte radio-Moska në gjuhën shqip, për problemet e shumta ekonomike të Shqipërisë. Ndërsa e shoqja e tij, e motra e Subi Bakirit nga Gjirokastra, jepte lajmet e brendshme dhe të jashtme... Nuk dihej se çfarë marrëveshje e poshtër politike a pazaresh të fëlliqura u bënë midis qeverisë shqiptare dhe asaj të Moskës që Fehmi Frashërin, gruan dhe fëmijët e tij i sollën “pako postale” këtu, në Shqipëri, në vitin 1967. Pa zbritur ende në tokë, burrë e grua u prangosën, ndërsa fëmijët u dërguan tek të afërmit e tyre, në Tiranë... Fehmiun e dënojnë me pushkatim, ndërsa të shoqen me 25 vjet heqje lirie. Por Presidiumi i Kuvendit Popullor i fali jetën Fehmiut, ndërsa të shoqes i zbriti vitet e dënimit... Ishte me raport mjekësor ndaj nuk e fusnin dot në galeri, sepse për shpirt, donin ta shihnin zvarrë duke tërhequr vagonët plot me bakër e pirit... Komisari i repartit, një bulqizak injorant, përpiqej hera-herës ta fyente, me mendjen e tij, duke e akuzuar para bashkëvuajtësve si një tradhtar, që kishte punuar për Hrushovin dhe Brezhnjevin... Aq dinte aq thoshte... Ndërsa Fehmiu fjalëpakë dhe i prerë me njerëzit e komandës, as donte t’ia dinte ç’thoshte ai injorant... I përbuzte ata që i lëpiheshin njerëzve të administratës së burgut për favore të vogla. Spiunët i urrente. Në Kryengritjen Historike që bënë të burgosurit politikë në kampin e Spaçit, ai u tregua aktiv për organizimin dhe inkurajimin e saj. U ridënua edhe ai me të burgosurit e tjerë. Madje e mbyllën në burgun e Burrelit së bashku me të gjithë ata që u konsideruan frymëzuesit dhe organizuesit kryesorë të Kryengritjes.

Unë e ai e forcuam shumë miqësinë në burgun e Burrelit, tashmë si dy njerëz të provuar përballë një trusnie aq të madhe para dhe pas kryengritjes së famshme, por sidomos kur morëm vesh që, për inatin tonë, regjimi burgosi edhe vëllezërit tanë, Bardhin, vëllain e Fehmiut dhe Esatin, vëllain tim, të cilët i çuan për të vuajtur dënimin në kampin e Spaçit. Tani ai ishte vetë i dytë në burg, sepse të shoqen me një vendim të posaçëm të Presidiumit të Kuvendit Popullor, e kishin liruar vite më parë, për mëshirë të fëmijëve të mbetur pa prindër, por edhe për hatër të vëllait të saj, Subi Bakirit, në gjendje të rëndë shendetësore. Një batërdi e vërtetë për njerëzit tanë që mbetën jashtë burgjeve... Me Fehmiun kishte shoqëri edhe njëri nga miqtë e mi të ngushtë, besimtar i zellshëm, i cili i falte të pesë vaktet, Myfit Tarrelli, nga Devolli i Korçës, por që familjen ia kishin internuar në Savër të Lushnjës, sapo ky u dënua si anëtar i një grupi të madh, që përgatitej gjoja për të rrëzuar pushtetin popullor. Në fakt ishin të gjithë fshatarë, bujq të thjeshtë, denbabaden... Myfiti, po si unë, e respektonte Fehmi Frashërin, ish-atasheun ekonomik të regjimit komunist, falë karakterit dhe dashamirësisë që ai tregonte për njerëzit që vuanin në burg si të deklasuar apo ngaqë urrenin regjimin komunist...

“Nuk ka njerëz më të mirë se sa ata që besojnë zotin”, - thoshte Fehmiu, me respekt të veçantë për Myfit Tarellin. “Vetëm komunistët e urrejnë Perëndinë, sepse ia kanë shitur shpirtin shejtanit. Këta, komunistët, një nga të cilët isha vetë, perëndi quajnë doktrinën e Marksit dhe Engëlsit, që është një nga doktrinat më antinjerëzore që ka njohur njerëzimi: Që mohon nënën, babanë, motrën dhe vëllain, mohon vetë ekzistencën e Perëndisë... nga ligësia për t’u bërë vetë të tillë me dishepujt e tyre...”. Është një doktrinë që frymëzon dhe mobilizon për të marr pushtetin njerëzit që s’kanë PASUR KURRË PASURI DHE PUSHTET. Që janë të varfër mendërisht e shpirtërisht, dhe në emër të barazisë shoqërore, spekulantët politikë i shfrytëzojnë këta për të përmbysur një shoqëri tradicionalisht e emancipuar dhe me eksperiencë të gjatë qeverisjeje. Kur marrin pushtetin shtresat më ulëta të një kombi, vendin e tyre e kthejnë, për arsye të komplekseve që kanë, në diktaturë klasore, siç po ndodh në vendin tonë... Një ditë, ndërsa po shëtisja në oborrin e burgut të Burrelit, më afrohet Fehmiu dhe, pas pak, edhe Myfiti... të cilët nisën përnjëherë një debat lidhur me vdekjen e Mehmet Shehut. Myfiti mendonte se e kishin vrarë... më tepër si një njeri që kishte tendenca perëndimore. Se, po të dilte ai në krye të partisë e të shtetit, pas vdekjes së Enverit, me siguri që do të hapej me vendet e zhvilluara të Perëndimit...

Fehmiu, i paduruar siç ishte, kërceu përpjetë. - Pse thua se do të na lidhte me Perëndimin e jo me Lindjen?... Sepse Mehmeti nuk ka qenë asnjëherë me pikëpamje perëndimore... Ai, unë dhe shumë të tjerë si ne, që u formuam si kuadro të ekonomisë së centralizuar, nuk do të kishim dëshirë kurrë të lidheshim me Perëndimin... Myfiti, kur nxehej mblidhte supet dhe buzët njëkohësisht dhe derdhej: - Po pse, more burrë i dheut, i tha, edhe e ke pësuar kaq shumë ti, familja jote, fisi yt nga politika dhe ideologjia e Lindjes, nga regjimi komunist, përsëri mendjen e ke atje, të bashkohesh me ata dhe ideologjinë e tyre që po i mëson botës dhe popullit tonë si të vrasin njëri-tjetrin, si të rrethojnë vendin dhe fëmijët e tyre me tela gjembaç, si të urrejnë njëri-tjetrin dhe vendin e tyre e të duan më shumë popujt e tjerë, sidomos sllavët, vetëm sepse me ata i bashkuaka ideologjia dhe qëllimet internacionaliste... Fehmiu u zverdh në fytyrë dhe mbushi sytë me lot. - Ti, Myfit ke të drejtë. Fjalët e tua më therin në zemër... Por unë kam frikë se të tillë do të jenë edhe fëmijët tanë, ngaqë edhe ata po lidhen me një mijë e një fije tashmë me vendet lindore, siç u lidhëm ne, fatkeqësisht, prindërit e tyre... Dhe biseda e tyre u ndërpre për shkak se ra çanga për hyrë në qeli.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›