E Diel, 1 Nëntor 2026

NYT: Administrata Trump planifikon shkurtime në Departamentin e Shtetit

Një projekt-draft i një urdhri ekzekutiv nga administrata Trump propozon një ristrukturim të thellë të Departamentit të Shtetit, që përfshin eleminimin e operacioneve të tij në Afrikë dhe mbylljen e ambasadave dhe konsullatave në të gjithë kontinentin, sipas zyrtarëve amerikanë.

Drafti gjithashtu parashikon mbylljen e disa zyrave në selinë qendrore të Departamentit të Shtetit që merren me çështje si ndryshimet klimatike, refugjatët, si dhe çështje të demokracisë dhe të drejtat e njeriut, raporton The News York Times.

Nuk është e qartë se kush e ka përpiluar këtë dokument apo në çfarë faze është.

Disa nga idetë janë diskutuar mes zyrtarëve amerikanë gjatë javëve të fundit, megjithatë nuk është e qartë sa do të pranohet ky draft, thanë zyrtarët. Disa elemente të këtij projekti mund të ndryshojnë para shqyrtimit përfundimtar në Shtëpinë e Bardhë, ose përpara se Presidenti Trump ta nënshkruajë atë, nëse ai vendos ta bëjë këtë.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, shkroi një koment të shkurtër në rrjetet sociale pas publikimit të këtij artikulli, duke e quajtur “fake news”.

This is fake news. The ⁦@nytimes⁩ falls victim to another hoax. https://t.co/hXSiV1t9HC

— Marco Rubio (@marcorubio) April 20, 2025

Nuk ka asnjë tregues që Rubio ose ndihmësit e tij të lartë të kenë miratuar dokumentin, megjithëse ata kanë punuar për një riorganizim të Departamentit të Shtetit.

Pikat kryesore të draftit të urdhrit ekzekutiv:

  • Mbyllje e ambasadave dhe shkurtim i diplomatëve: Një nga ndryshimet më drastike është mbyllja e Ambasadës dhe konsullatave në Afrikën Sub-Sahariane deri më 1 tetor 2025.
  • Riorganizimi i diplomacisë: Drafti propozon krijimin e katër trupave: Trupa e Eurazisë (Evropa, Rusia, Azia Qendrore), Trupa e Lindjes së Mesme (shtetet arabe, Irani, Pakistani dhe Afganistani), Trupa e Amerikës Latine dhe Trupa Indo-Paqësor.
  • Shkurtim i burimeve dhe përdorimi i inteligjencës artificiale: Drafti propozon zgjerimin e përdorimit të inteligjencës artificiale për të ndihmuar në hartimin e dokumenteve, zhvillimin e politikave dhe planifikimin operativ.
  • Heqja e zyrave për çështjet e demokracisë dhe të drejtat e njeriut: Zyrat që merren me demokracinë, të drejtat e njeriut dhe refugjatët do të mbyllen, dhe po ashtu do të eliminohet pozita e të dërguarit të posaçëm për klimën.
  • Zgjerimi i kritereve të punësimit: Do të mbyllen provimet për diplomatët e rinj dhe do të vendosen kritere të reja rekrutimi që përfshijnë “përputhjen me vizionin e presidentit për politikën e jashtme.”

Ky është vetëm një nga disa dokumente të brendshme që kanë qarkulluar në administratën Trump, të cilat paraqesin propozime për ndryshime të mëdha në Departamentin e Shtetit. Një tjetër dokument sugjeron një ulje të buxhetit të agjencisë me 50% për vitin e ardhshëm fiskal, ndërsa një tjetër propozon mbylljen e 10 ambasadave dhe 17 konsullatave./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›