Naço: NATO, e gatshme të japë asistencë për draftin

Tensioni i provokuar rreth projektligjit për Shërbimin Informativ Shtetëror ka në prapavijë një ndërhyrje direkte dhe të qëndrueshme të NATO-s. Deklarimet e numrit dy të qeverisë, Ilir Meta, për nevojën e konsultimeve me Aleancën rreth përmbajtjes së draftit, përveçse artikulojnë qëndrimin e forcës së tij politike, përcjellin edhe angazhimin e NATO-s për të konformuar mirë legjislacionin e Shqipërisë në këtë drejtim me standardet e pranuara nga Aleanca. Në këtë kuadër, numri dy i Kuvendit të Shqipërisë, deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nasip Naço, deklaroi dje për “Shqip” se angazhimi i Brukselit është konkret në këtë drejtim, duke u bashkërenduar me sugjerimet e OSBE-së. “Ne jemi në parim dakord për kufizimin e mandatit të drejtorit të SHISH-it, si dhe me nevoja të tjera të ndryshimit të ligjit, si për shembull ndryshimi i kohëzgjatjes së mandatit të zv.drejtorit në mënyrë që të mos ketë një mbarim detyre të njëkohshëm. Por meqenëse ka një kërkesë dhe gatishmëri nga NATO dhe OSBE për të asistuar në përgatitjen e draftit, atëherë mendojmë se është e nevojshme që të pranohet kjo gjë dhe miratimi i ligjit të bëhet pas përfundimit të këtyre konsultave”, deklaroi Naço. Kështu ai ka bërë të njohur faktin se përveç kërkesës për të pezulluar ndryshimin e ligjit ekzistues, Aleanca ka vënë në dispozicion ekspertizën e vet për të ndërtuar një kuadër të ri ligjor që ka të bëjë me shërbimet sekrete. Ndryshe, ky proces i nisur muaj më parë, ka “sjellë ndryshime” edhe në qëndrimin e saj, e cila duket se tani njeh nevojën e ndërhyrjeve në ligjin shqiptar, por duke e kushtëzuar këtë me një kontroll dhe monitorim të plotë. Një konkluzion që del në sipërfaqe nga e gjithë situata, por edhe nga deklarimi i Naços, është se ndryshimi në ligjin e SHISH-it është një nevojë e gjithëpranuar dhe se ajo në vetvete nuk përfaqëson një problem pa zgjidhje. Për të ilustruar rolin e NATO-s në këtë proces vjen në ndihmë një prononcim i drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Sigurisë, Shqyqyri Dekavelli, në muajin mars për “Deutsche Welle”. “NATO nuk ka filluar ende ta dërgojë këtë lloj informacioni (top sekret) në Shqipëri. Jemi ende në procesin e përmbushjes së standardeve për të mbrojtur këtë lloj informacioni, që është i pakët dhe i rrallë, por që nëse bie në duar të gabuara, dëmton rëndë NATO-n dhe vendet e tij anëtare”, është shprehur ai rreth një çështjeje që jep ide të qarta për natyrën delikate të problemit. Kështu, konteksti aktual që ka prodhuar kaq shumë tension mbetet të jetë vetëm politik. Pasi është politika, mungesa e besimit, apo implikimi që sjellin marrëdhëniet e ekipit drejtues shqiptar me aleatët, që nxit tensione të kësaj natyre. Drafti për SHISH dhe reduktimi i shqetësimeve të Kryeministrit Berisha te mandati i drejtorit, e për pasojë te personi i tij në këtë detyrë, në fund të fundit i bën jehonë zhvillimeve më të fundit edhe në institucione të tjera si Gjykata e Lartë apo Kushtetuese, ku rrëzimi i disa kandidaturave u bë në emër të vlerësimeve thellësisht politike. Të paktën ky ka qenë pozicioni zyrtar i zyrës diplomatike amerikane në Tiranë, e cila është një asistuese dhe aleate e gjithëpranuar në zhvillimet politike shqiptare.
#