E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta arrin në 114 dollarë për fuçi/ Rritet sërish, niveli më i lartë që nga maji

Çmimi i naftës në bursa regjistroi nivelin më të lartë në më shumë se 5 muaj. Të premten nafta vijoi rritjen  për shkak të përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme duke u tregtuar me 114.7 dollarë për fuçi.

Rebelët Huthi intensifikuan sulmet ndaj Saudi Aramco, eksportuesit më të madh të naftës bruto në botë. Pas kësaj, kompania urdhëroi evakuimin e selisë së saj në Dhahran.

Analistëve të tregut thonë se shqetësimet për përshkallëzimin e mëtejshëm të sulmeve janë shtuar dhe në skenarin më të keq mund të shkaktojnë ndërprerje të furnizimit me karburante.

Sipas tyre, nëse do të ketë edhe vonesa në dërgesat e naftës, çmimet pritet të shtrenjtohen edhe më shumë në vijim. Kalimi për anijet që ndjekin rrugën detare përmes Ngushticës së Hormuzit mbetet ende i rrezikshëm.

Bombardimi i rafinerive të naftës ruse nga Ukraina nga ana tjetër po shton shqetësimet për furnizimin. Situata e përkeqësuar po nxit përsëri frikën e inflacionit, me kompanitë që me shumë gjasa nuk do të mund të përballojnë kostot e larta të energjisë dhe transportit.

Nisur nga kjo bankat qendrore tashmë kanë filluar të ndjekin politika më shtrënguese duke rritur normat e interesit me qëllim mbajtjen e çmimeve nën kontroll.

Efektet nga zgjatja e konflikteve sipas ekonomistëve pritet të jenë të konsiderueshme për ekonominë globale, në një kohë që po intensifikohen edhe risqet mbi qëndrueshmërinë e bumit të inteligjencës artificiale.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›