Nafta, çmimi ulet me 5 lekë për litër
Çmimi i naftës ka filluar që të reflektojë rënien e që prej javësh është konstatuar në bursat ndërkombëtare. Kështu, gjatë ditës së djeshme është konstatuar një rënie e çmimit prej 5 lekë për litër. Një litër naftë gjatë ditës së djeshme është shitur me 155 lekë për litër gjatë ditës së djeshme nga 165 lekë që shitej më parë. Edhe një litër naftë eurodiesel gjatë ditës së djeshme është shitur me një çmim prej 160 lekë për litër, duke pësuar një rënie të re me rreth 2 lekë për litër. Çmimi i benzinës në treg ka mbërritur në 155 lekë për litër duke reflektuar sërish një rënie më të paktë se ai i konstatuar në tregjet ndërkombëtare. Në tregun ndërkombëtar rënia e çmimit të naftës është me 25 për qind, ndërsa në tregun vendas vazhdon që të kemi një rënie tepër të ulët që nuk i kalon 7 për qind. Në Doganën e Durrësit një ton naftë llogaritej me vlerën 1.113 dollarë toni ose 113 dollarë një fuçi. Vetëm një javë më pare, çmimi ishte 1.119 dollarë toni ose 119 dollarë fuçia. Por ulja e ndjeshme e çmimit të "arit të zi" brenda një muaji, nga 1.150 dollarë toni (150 dollarë fuçia), në 1.113 dollarë, vazhdon të mos reflektohet nëpër distributorët e shitjes me pakicë të karburanteve për konsumatorët. Tregtarët grosistë nuk kanë reaguar ndaj koniunkturës së re të çmimit të naftës dhe po përpiqen që gjatë kësaj periudhe, kur numri i mjeteve motorike në qarkullim është rritur në mënyrë të ndjeshme, për shkak të emigrantëve, të shesin sa më shtrenjtë stokun e naftës nëpër depozita, që është blerë me çmim të lartë më parë. Ndërkohë, këta tregtarë fare mirë mund të luanin me çmime të ndërmjetme, pa cenuar as marzhin e fitimit të tyre, por as edhe interesat e konsumatorëve. Por një gjë e tillë do të kërkonte një periudhë më të gjatë kohore.
Nafta në tregun vendas mbetet në nivele të larta, nëse e krahasojmë me rënien në bursa. Nga ana e grosistëve bëhet e ditur se nafta që po shitet në treg është e importuar me periudhën e çmimeve të larta, ndaj edhe çmimet do të reflektohen në javët që vijojnë. Me këtë çmim prej 113dollarë për fuçi, nafta në treg duhet të jetë në nivelin e 142 lekëve për litër, nëse krahasohet me periudhat e mëparshme. Në këtë llogari të çmimeve hyjnë kursi i këmbimit, njëkohësisht edhe niveli i taksave, që gjatë kësaj periudhe ka mbetur i pandryshuar. Në tregun vendas, gjatë ditës së djeshme, një litër naftë shitej me një çmim rreth 155 lekë për litër, përsa i përket cilësisë D2 dhe 160 lekë, nafta D1. Çmimet mbeten ende sipër reflektimit që ato duhet të kishin nga rëniet në bursa. Çmimet e larta të naftës në vend janë bërë shqetësim edhe për pushuesit që vijnë nga Kosova, të cilët bëjnë të ditur se çmimi i arit të zi mbetet 20 për qind më i lirë në shtetin e ri fqinj.
Mosreflektimi i çmimeve të naftës gjatë periudhave të uljeve në bursa është kontestuar edhe nga Ministria e Financave, që ka akuzuar për kontrolle të çmimit në treg, kompanitë e importimit dhe tregtimit të karburanteve. Pas një sërë akuzash dhe një hetimi të nisur nga Autoriteti i Konkurrencës, që mbetet pa asnjë rezultat, Financat kanë nxjerrë një udhëzim të ri.