E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta kapërcen 200 lekë, shqyrtohet rikthimi i Bordit të Transparencës

Efekti i luftës në Lindjen e Mesme po vijon të reflektohet në çmimin e naftës në tregjet botërore, e po ashtu edhe në Shqipëri. Pas shpërbërjes së Bordit të Transparencës, nafta ka arritur në rreth 206 lekë për litër.

Sipas të dhënave, nga vendimi i fundit i Bordit të Transparencës, i datës 17 qershor, kur nafta tregtohej me 176 lekë për litër, çmimi është rritur me rreth 15% brenda një muaji.

Burime nga Ministria e Financave bëjnë me dije për Vizion Plus se gjatë javës së ardhshme pritet të zhvillohet një takim për të diskutuar situatën dhe mundësinë e rikthimit të Bordit. Kjo do të merret në konsideratë vetëm nëse karburanti vijon të qëndrojë mbi 200 lekë për litër.

Nga ana tjetër, Shoqata e Transportit i ka dërguar një kërkesë institucioneve përgjegjëse për shtyrjen e afatit të skemës së subvencionimit, për shkak të rritjes së kostove nga shtrenjtimi i naftës.

Ndërkohë, situata e tensionuar në Lindjen e Mesme po vijon të luhatë bursat ndërkombëtare të naftës. Sipas të dhënave të platformës Investing, çmimi i një fuçie Brent të Londrës ka arritur në rreth 95 dollarë.

Pas një periudhe qetësimi, kur çmimi i naftës Brent dukej se po stabilizohej, zhvillimet e fundit në rajon kanë rikthyer presionin në tregjet ndërkombëtare, duke ushqyer pritshmëritë për çmime të larta edhe në ditët në vijim.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›