E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta mbi 210 lekë/litër, operatorët: Kompensim të naftës deri në shtator ose do të reduktojmë qarkullimin

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas thotë se kompensimi aktual nuk mbulon kostot e operimit dhe kërkon zgjatjen e skemës edhe për muajt në vijim.

Rritja e kostove të karburantit po shton presionin mbi transportin publik. Kështu pretendojnë operatorët të cilët sot përsëritën kërkesën që qeveria të skemën e  kompensimit për naftën, duke argumentuar se me çmimin aktual të karburantit dhe rënien e numrit të pasagjerëve e kanë të vështirë të mbajnë në funksion shërbimin me ritmet aktuale.

Në një letër drejtuar Ministrisë së Financave, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe Bashkisë së Tiranës, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas kërkon që kompensimi të vijojë edhe për muajt qershor, korrik dhe gusht 2026, si dhe për periudhën pasuese, deri në normalizimin e çmimit të karburantit.

“Karburanti përbën një nga zërat kryesorë dhe më të rëndësishëm të kostos së aktivitetit të transportit publik. Për shkak të volumit të lartë të konsumit ditor të mjeteve, çdo rritje apo qëndrueshmëri e çmimit të naftës në nivele të larta reflektohet drejtpërdrejt në kostot e operimit të operatorëve. Në kushtet kur tarifat e transportit publik mbeten të pandryshuara dhe operatorët duhet të garantojnë vijimësinë e shërbimit sipas linjave, frekuencave dhe kapaciteteve të përcaktuara, përballimi i kësaj kostoje është bërë gjithnjë e më i vështirë. Masat e kompensimit të ndërmarra deri më tani kanë qenë një mbështetje e domosdoshme për ruajtjen e ekuilibrit financiar dhe vijimësinë e shërbimit. Megjithatë, problematika që solli nevojën për këtë mbështetje nuk është tejkaluar. Çmimi i karburantit vazhdon të mbetet në nivele të larta dhe të ushtrojë presion të konsiderueshëm mbi kostot operative të shoqërive. Nëse kjo situatë vijon edhe gjatë muajit Gusht 2026 dhe muajve në vijim, pa u shoqëruar me një mekanizëm kompensimi financiar, operatorët do të përballen me vështirësi serioze për garantimin e shërbimit në nivelin aktual”, shkruhet në letër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›