E Enjte, 5 Nëntor 2026

Nafta pa taksa, 20561 fermerë aplikuan online, kartat pa taksa po dorëzohen normalisht në të gjithë vendin

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi bëri të ditur për ATSH se procesi i dorëzimit të kartave të naftës po ecën normalisht në të gjithë vendin.

“Fermerët të cilëve u është verifikuar aplikimi i kryer në e-albania, po i tërheqin ato në gjitha zyrat e Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor (AREB)”, tha ajo.

Procesi për përfitimin e kartës së naftës pa taksa në portalin e-Albania përfundoi me rekord aplikimesh më 30 mars.

Nga data 15 janar kur nisën aplikimet online e deri në fund, 20561 fermerë aplikuan online në portalin e-Albania.

Aplikimet u kryen nga fermerë të të gjitha qarqeve të vendit, por numri më i madh i tyre është në qarkun e Korçës, Fierit, Beratit, Elbasanit, Dibrës dhe Tiranës.

Fermerët janë asistuar gjatë gjithë procesit të aplikimit nga specialistët e bujqësisë pranë Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor dhe Agropikave, por edhe nga njësitë e qeverisjes vendore.

Sasia e naftës së prokuruar për këtë skemë i ka kushtuar buxhetit të shtetit 10 milionë USD dhe sasia e naftës parashikon të mbulojë nevojat vjetore të fermerit.

Implementimi i kësaj skeme, krahas të tjerash ka ndikuar pozitivisht në formalizimin e fermerëve, nëpërmjet pajisjes me NIPT. 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›