E Enjte, 5 Nëntor 2026

Nafta pa taksa, fluksi i kërkesave nga fermerët shtyn afatin për aplikimet

MBZHR ka vendosur të shtyj afatin e aplikimit deri në fund të marsit për naftën pa taksa, pasi ditët e fundit u pa një rritje e ndjeshme e kërkesave të fermerëve . Aplikimet për skemën e mbështetjes me naftë pa taksa nisën më 15 janar të këtij viti e deri më tani  në portalin e-albania janë regjistruar 15 120 fermerë.

Sipas njoftimit paralelisht me këtë proces, ka nisur dhe shpërndarja e kartave të para të naftës dhe gjatë ditëve në vazhdim, krahas aplikimeve në zyrat e AREB-eve, të fermerëve të regjistruar me NIPT, do të vijojë dhe shpërndarja e kartës së naftës, për fermerët që kanë dorëzuar tashmë dokumentacionin e tyre në zyrat e aplikimit dhe njëkohësisht kanë kryer dhe aplikimin në portalin e-albania.

MBZHR njofton se procesi i aplikimit online në portalin e-albania për fermerët e regjistruar me NIPT, bëhet përmes kartës së identitetit dhe pas aktivizimit nga Tatimet ata duhet të vetëdeklarojnë dokumentet që disponojnë.

Ministria e Bujqësisë verifikon përputhshmërinë e dokumenteve të deklaruara nga fermeri  me ato që ka depozituar dhe më pas, fermeri duhet të shkojë pranë agjencive të Ekstensionit Bujqësor (AREB), ose Agropikave për tu pajisur me kartën e naftës falas të cilën e tërheq në një pikë karburanti. Në ndihmë të fermerëve janë dhe zyrat e AREB-eve dhe Agropikave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›