Namazi i Fitër Bajramit do të falet në sheshin “Skënderbej”

TIRANË, 18 mars/ATSH/ Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njoftoi sot të gjithë besimtarët se namazi i Fitër Bajramit do të falet në sheshin “Skënderbej”, më 20 mars ora 06:30.
Sipas Komunitetit Mysliman programi i plotë i Fitër Bajramit nis në orën 06:00 dhe përfundon në 06:35.
Hapja e programit nis me leximin e Kur’anit nga imami i xhamisë “Et’hem Beu”, Elton Karaj Më pas kryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu do të përshëndesë besimtarët dhe nënkryetari i KMSH-së, Lauren Luli do të mbajë një ligjëratë.
Faljen e namazit të Bajramit do ta prijë kryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu, ndërsa Hutbeja e Bajramit do të mbahet nga Myftiu i Tiranës, Bilal Teqja.
Komuniteti Mysliman fton të gjithë besimtarët që brenda mundësive të pajisen me sixhade për të qenë sa më komod gjatë ceremonisë së faljes.
Komuniteti Mysliman i uron besimtarëve Fitër Bajramin. “Lusim Allahun t’jua ketë pranuar agjërimin, adhurimet dhe lutjet e këtij muaji të begatë”, shprehet KMSH.
Pas një muaji agjërimi dhe lutjesh, besimtarët myslimanë do të festojnë më 20 mars Fitër Bajramin.

/k.s/j.p/