E Diel, 1 Nëntor 2026

Nancy Pelosi vendos të dalë në pension, i jep fund karrierës së saj të gjatë në Kongresin Amerikan

Nancy Pelosi vendos të dalë në pension, duke i dhënë fund karrierës së saj të gjatë në Kongresin Amerikan.

Në një video-mesazh të publikuar të enjten, Pelosi bëri me dije se nuk do të kërkojë të rizgjidhet në Kongres kur t’i përfundojë mandati në janar të vitit 2027.

“Kemi bërë histori, kemi bërë përparim. Nuk do të kërkoj të rizgjidhem në Kongres. Me një zemër plot mirënjohje, mezi pres të shërbej edhe për një vit tjetër me krenari si përfaqësuesja juaj,”  u shpreh 85-vjeçarja, duke iu drejtuar banorëve të San Franciskos, të cilët i përfaqëson në Kongres.

Pelosi ishte gruaja e parë që drejtoi Dhomën e Përfaqësuesve dhe Partinë Demokratike në atë dhomë, nga viti 2003 deri në vitin 2023.

Fillimisht në Kongres u zgjodh si përfaqësuese e San Franciskos në vitin 1987. Si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve u zgjodh në vitin 2007 dhe mbajti këtë rol deri në vitin 2011, kur demokratët humbën shumicën në Dhomën e Ulët të Kongresit. Ajo u rikthye sërish në këtë post nga viti 2019 deri në vitin 2023.

Sipas Kushtetutës amerikane, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve është personi i tretë më i rëndësishëm në hierarkinë e shtetit, pas presidentit dhe zëvendëspresidentit. Në atë post, Pelosi luajti një rol thelbësor në avancimin, por edhe në zmbrapsjen e axhendave të shumë presidentëve gjatë karrierës së saj të paprecedentë.

Asaj i atribuohet gjerësisht miratimi i legjislacionit të ish-presidentit Barack Obama për kujdesin shëndetësor, si dhe i projekteve ligjore për infrastrukturën dhe ndryshimet klimatike të ish-presidentit Joe Biden.

Pelosi gjithashtu sfidoi presidentin Donald Trump kur, gjatë mandatit të tij, grisi një kopje të fjalimit për gjendjen e shtetit, menjëherë pasi Trump e kishte përfunduar atë në podium.

Ajo drejtoi dy tentativa për ta vënë Trump nën akuzë: e para në vitin 2019, për marrëveshjet me Ukrainën, ku Trump u akuzua se i kishte ushtruar presion atij vendi për të gjetur informacione që mund të dëmtonin Bidenin, dhe ku më pas u shpall i pafajshëm nga Senati.

Tentativa e dytë ishte në vitin 2021, kur Trump u akuzua nga Dhoma e Përfaqësuesve për nxitjen e trazirave të 6 janarit 2021 ndaj Kongresit, por edhe këtë herë u shpall i pafajshëm nga Senati.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›