E Diel, 1 Nëntor 2026

Napoli “presion” Interit, Roma fiton dhe afrohet ndjeshëm me zonën Champions

Napoli barazoi me pikë Interin në krye të tabelës së klasifikimit të kampionatit italian.

Skuadra e Kontes mundi 1 me 0 në transfertë Monzën e vendit të fundit, në duelin e vlefshëm për javën e 33-të.

Nuk ishte një ndeshje e lehtë ajo e transmetuar në Tring për Napolin. Pavarësisht se kundërshtari e ka prerë biletën e rënies një kategori më poshtë, miqtë hasën shumë vështirësi në gjetjen e rrugës së rrjetës.

Pas një pjese të parë të mbyllur 0 me 0, ai që i dha suksesin e rëndësishëm Napolit ishte mesfushori McTominay. Skocezi realizoi golin e fitores në minutën e 72-të.

Në këtë mënyrë, Napoli u kthye te fitorja në transfertë pas plot 91 ditësh.

Me këtë sukses, skuadra e Kontes ngjitet në 71 pikë, po aq sa ka edhe Interi, i cili sot do të luajë një ndeshje të vështirë në transfertë ndaj Bolonjës.

Ndërkohë, Roma mbajti ritmin e skuadrave që garojnë për zonën Champions. Verdhekuqtë mundën 1 me 0 në shtëpi Veronën. Të zotët e shtëpisë u mjaftuan me golin e shënuar që në minutën e katërt nga sulmuesi Shomurodov.

Me këtë fitore, skuadra e Ranierit ngjitet në 57 pikë, po aq sa Bolonja, vetëm dy pikë larg zonës Champions.

Sot në Tring vijnë duelet e tjera të javës së 33-të, ku spikasin përballjet e mëdha Bolonja–Inter në orën 18:00 dhe Milan–Atalanta në 20:45.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›