E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Nata e Falenderimeve” në Durrës, koncert festiv me muzikë të lehtë dhe popullore

“Nata e Falenderimeve”, koncerti festiv i fundvitit në Durrës, bëri bashkë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” disa nga këngëtarët më të njohur të muzikës së lehtë dhe popullore shqiptare.

Myfarete Laze, Bashkim Alibali, Kozma Dushi e Liljana Kondakçi iu bashkuan skenës me repertorin më të mirë ndër vite. Publiku në sallë për më shumë se një orë shijoi disa nga hitet e shumë viteve më parë, që kanë mbetur të rrënjosura në memorien kolektive të artdashësve.

 “Kam qenë disa herë në Durrës dhe është një publik artdashës, që të kupton shumë mirë, të do shumë dhe të duartroket”, tha këngëtari Bashkim Alibali. 

“Ne shqiptarët kemi një të mirë, dimë të presim mikun. Kjo natë është e veçantë se është Nata e Falenderimeve. Të falin shumë kënaqësi”, u shpreh këngëtarja Myfarete Laze.

Të pranishëm me repertorin e tyre ishin edhe këngëtarë të tjerë të dashur për publikun. Për këngëtarin e njohur të muzikës popullore durrsake, Ylli Çifti, ky koncert me këngë të traditës ishte një buqetë e bukur festive për admiruesit e muzikës së mirë.

“Këngët popullore janë shumë të bukura. Atmosfera është e ngrohtë”, tha ai. 

Koncerti i ideuar nga regjisori Haxhi Rama dhe poeti Ardi Omeri arriti të përcjellë tek publiku durrsak emocione dhe  nostalgji për disa nga këngët që tashmë kanë hyrë në fondin e artë të muzikës shqiptare.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›