Nata e nostalgjisë në Fest 64, këngët më të bukura të festivaleve ndër vite do të vijnë me një fryme më moderne

Një festë e madhe pritet të jetë edhe nata e nostalgjisë në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Këngët që kanë bërë historinë e festivalit ndër vite do të vijnë të interpretuara në duet nga artistët pjesëmarrës të Fest 64.
Dirigjentët Markelian Kapedani, Olsi Qinami dhe Maria Ademaj thonë se këngët që do të performohen në natën e nostalgjisë do të vijnë të riorkestruara dhe me një frymë moderne.
“Janë interesante, janë të ripërpunuara, sjellin edhe freski dhe një vizion më modern dhe ndaj kanë edhe një vlerë sepse sjellin në kohën tonë, historinë e këngës së shkuar. Prandaj edhe quhet nostalgji, janë këngë që ne jemi rritur me to dhe sjellin edhe kujtimet tona nga rinia apo fëmijëria”, tha Markelian Kapedani.
“Këngë shumë të mirënjohura vijnë me një orkestrim të ri, pak më modern dhe është një natë që është vënë re se publiku e kërkon dhe e dëshiron shumë. Edhe ne si muzikantë na pëlqen të interpretojmë këngët e nostalgjisë”, theksoi Olsi Qinami.
“Ky edicion, përveç netëve konkurruese që kanë sjellë materiale shumë të mira, i është kushtuar një rëndësi e veçantë edhe natës së tretë, ku janë përzgjedhur këngë nga të gjithë edicionet e festivaleve ndër vite. I është kushtuar një rëndësi shumë e madhe dhe e gjithë orkestra, pro edhe këngëtarët kanë një impenjim shumë të madh për ta nxjerrë këtë natë sa më mirë”, u shpreh Maria Ademaj.
Në natën e 3-të e cila përkon me mbrëmjen e nostalgjisë nuk do të mungojnë dhe të ftuarit special, emra që kane lënë gjurmë në Festivalet e Këngës në RTSH.
/rtsh.al/