Nata e vdekjes në Hula

My Lai. Sabra dhe Shatilla. Srebrenica. Dhe tani Hula. Duke pasur parasysh reagimet nga e gjithë bota, të cilat i nxiti masakra më e re në këtë fshat në verilindje të Sirisë, emri i këtij vendi së shpejti mund të ndërlidhet me qytetet tjera, të cilat kanë bërë emër famëkeq për vrasjet e civilëve, siç janë qytetet e lartpërmendura në Vietnam, Liban dhe Bosnje.
Lajmi për sulmin në Hula, gjatë natës prej të premtes në të shtunën, gjatë së cilit sulm u vranë së paku 108 persona, u prit me tmerr dhe drithërima anembanë botës. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i cili u tubua më 27 maj pasdite, në një mbledhje të jashtëzakonshme, dënoi me fjalët më të ashpra këtë krim dhe për masakrën fajësoi regjimin e presidentit të Sirisë, Baschar Al Assad.
Masakra në Hula nxiti një termet tjetër politik: Flitet se mbi 3 mijë sirianë u tubuan në Damask, për të protestuar për shkak të kësaj masakre, por me këtë rast forcat e sigurisë hapën zjarr në drejtim të turmës, duke vrarë së paku dy protestues. Por duket se situata për shkak të masakrës në Hula do të eskalojë.
Fillimisht, lajmet për masakrën në Hula erdhën nga aktivistët, sipas të cilëve forcat besnike të regjimit kishin shkaktuar një gjakderdhje të madhe në Hula. Ky lajm më pas u konfirmua nga vëzhguesit e OKB-së, të cilët e vizituan fshatin një ditë më vonë. Fotografitë, të cilat u bënë gjatë vizitës së vëzhguesve në Hula, tmerruan botën: Më shumë se 30 mijë fëmijë të vrarë në këtë masakër, ishin nën moshën 10 vjeç. Në xhirime mund të shihen kufoma të fëmijëve, të cilët duket se janë ekzekutuar, pasi që janë qëlluar nga afërsia në kokë.
Përderisa banorët e fshatit varrosen të shtunën e kaluar të vdekurit e tyre, politikanët anembanë botës theksuan se kjo është një masakër brutale dhe jonjerëzore.
Duke pasur parasysh praninë e vëzhguesve të OKB-së, regjimi në Damask nuk ishte në gjendje të mohonte se ka ndodhur një gjë e tmerrshme në Hula. Për këtë arsye, kryesia në Damask u përpoq që për këtë masakër të fajësojë të tjerët. “Qeveria nuk bartë asnjë përgjegjësi për këtë masakër dhe për këtë gjakderdhje, ajo është kryer nga ana e terroristëve”, deklaroi televizioni shtetëror i Sirisë.
Sipas dëshmitarëve okularë, masakra filloi të premten pasdite (25 maj). Pas lutjes së pasdites, rreth 5 deri 6 mijë protestues parakaluan nëpër Hula, komunë kjo e përbërë nga katër fshatra. Banorët e këtij rajoni janë bërë aktiv, pasi që qyteti më i afërt, Homsi, u shndërrua në një qendër të kryengritësve në Siri.
Gjatë 40 viteve të diktaturës, banorët e Hulas preferuan që të heshtin: ky fshat sunit gjendet nën rrethimin e tri fshatrave alavite dhe një fshati shiit. Banorët me gjasë e kanë ditur se janë të rrethuar nga katër fshatra të përbëra nga dy komunitete, me qëndrim besnik ndaj Assadit.
Baschar Al Assad, sikurse edhe pjesa më e madhe e pjesëtarëve të elitës së tij kryesuese, janë alavitë. Aleatët kryesor të regjimit të tij, Irani dhe organizata Hezbollah në Liban, janë shiit.
Por që nga momenti kur në dimrin e vitit të kaluar një njësi e Ushtrisë së Lirë të Sirisë u vendos në fshat, Hula konsiderohej si një vend i çliruar. Edhe përkundër faktit se ushtria kontrollonte ende rrugët anësore, banorët në fshat shprehnin pakënaqësinë e tyre në qendër të fshatit kundër regjimit, siç bënë edhe të premten e kaluar.
Gjatë protestës, sipas dëshmitarëve okularë, snajperistët e regjimit kishin hapur zjarr ndaj protestuesve, me ç’rast u vranë disa persona dhe protesta u shpërnda.
Gjatë orëve të pasdites, njësia e Ushtrisë së Lirë të Sirisë, nën kryesimin e komandantit, të quajtur Mahmud, mori vendimin që të hakmerret për të vrarët. Me të rënien e errësirës, kryengritësit sulmuan të gjitha postblloqet e ushtrisë përreth fshatit.
Këto informata të dëshmitarëve okularë deri këtu përputhen me deklaratën e zëdhënësit të ministrisë së Jashtme të Sirisë, Xhihad Al Makdisi. Ai të dielën deklaroi se “të premten pasdite, duke filluar nga ora 14:00, e deri në orën 23:00 në mbrëmje, terroristët kishin sulmuar forcat qeveritare në Hula”. Siç dihet, qeveria në Damask kryengritësit në vazhdimësi i quan “terroristë”.
Gjatë ofensivës, duket se kryengritësit kishin pësuar humbje të mëdha dhe bënë gabimin strategjik se në vend se të ruajnë pozicionet e tyre në fshat, vendosen që të tërhiqen nga aty. Në këtë mënyrë, banorët e pambrojtur u përballen me hakmarrjen e ushtrisë.
Pas tërheqjes së kryengritësve nga Hula, ushtria filloi të granatoi fshatin. Sipas një burimi, pjesa më e madhe e njerëzve janë vrarë gjatë këtij granatimi. Ky burim theksoi se 26 persona më pas janë vrarë nga ithtarët e regjimit, nga fshatrat fqinje, të cilët kishin hyrë në fshat.
Çfarëdo që të ketë ndodhur në Hula, një gjë është e sigurt: kjo masakër mund të jetë një pikë e kthesës e konfliktit në Siri. Pas emetimit të pamjeve të fëmijëve të vrarë në Hula, Ushtria e Lirë e Sirisë theksoi se plani paqësor i OKB-së është i vdekur. Siç njoftoi kanali televiziv amerikan, CNN, udhëheqësi i kryengritësve kërkoi hakmarrje për masakrën.