E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nazarko: Pse kundër kësaj klase politike? Kandidati i PSD, Klementin Mile: Realitet hipokrit!

Në “Nazarko Podcast”, në një bisedë të thelluar për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar, filozofi dhe pedagogu Klementin Mile, një emër i ri në politikën shqiptare, ofroi një panoramë reflektuese mbi gjendjen mendore, arsimore dhe shpirtërore të vendit. Mile, tashmë pjesë e Partisë Socialdemokrate (PSD), tregoi për rrugëtimin e tij akademik dhe vështirësitë e trashëguara në kulturën intelektuale shqiptare.

Mungesa e një shkolle të strukturuar filozofike dhe edukimi i deformuar nga dogmat marksiste gjatë regjimit komunist, sipas tij, ka prodhuar një shoqëri që më shumë dekoron mendimet e paravendosura sesa i zhvillon ato në mënyrë të lirë dhe kritike.

“Gjatë komunizmit, mendimi filozofik shqiptar u zëvendësua nga dogma. Kishim një nisje të mendimit dhe një përfundim të parapërcaktuar – gjithçka tjetër ishte thjesht stilistikë,” theksoi Mile. Për të, dëmtimi më i madh nuk është vetëm në mungesën e dijes filozofike, por në atë që ai e quajti “dëmtim shpirtëror”, një boshllëk empatie, solidariteti dhe ndjeshmërie që, sipas tij, i jep sot shoqërisë shqiptare një mendje të stërvitur, por një shpirt të boshatisur.

Pyetjes së Nazarkos, se çfarë mendon ai për arsimin, Mile theksoi se nuk është arsimi privat që ka përkeqësuar cilësinë e mësimdhënies, siç shpesh akuzohet, por një keqkuptim më i thellë mbi vetë rolin e arsimit si mjet në shërbim të interesit publik. “Nuk ka rëndësi kush e financon një institucion arsimor. Pyetja duhet të jetë: i shërben apo jo publikut?” tha ai. Sipas tij, edhe institucionet shtetërore nuk mund të konsiderohen automatikisht “publike” nëse nuk i shërbejnë interesit të përgjithshëm të qytetarëve.

Duke u kthyer në aktualitet, ai kritikoi liderët politikë që i afrohen popullit vetëm në kohë fushatash “me mendjen plot dhe shpirtin bosh”, duke bërë që politika të kthehet në një lojë të zbrazët manovrimesh në vend që të jetë një projekt solidar për shoqërinë.

Mentor Nazarko: Pak hipokrizi edhe qasja juaj? Mile: Talenti të bën të pasur ose jo…

Gjatë bisedës në “Nazarko Podcast”, përfaqësuesi i PSD-së shpërfaqi një linjë të qartë politike, duke u përpjekur të vendosë partinë si një alternativë të re dhe të besueshme ndaj partive tradicionale. Ai reagoi me tone të ashpra ndaj akuzave të opozitës, veçanërisht ndaj Partisë Demokratike, si dhe sqaroi pozicionin e partisë ndaj figurës së Tom Doshit.

Nazarko iu drejtua Sekretarit Organizativ të PSD-së, Mile: “Ju jeni më shumë të majtë… Pra, ju mendoni se i duhet më shumë e majta skenës politike.“

Sipas Miles, në kushtet reale në Shqipëri, të flasësh për ide të djathta është e vështirë.

“Nëse mbetemi te koncepti i hipokrizisë,” – vazhdoi Nazarko, “duket se edhe në atë që ju përfaqësoheni, ka hipokrizi: pra, ju jeni parti e qendrës së majtë dhe drejtoheni, mbuloheni nga një sipërmarrës i rëndësishëm në sektorin e industrisë farmaceutike, – i një fuqie të madhe dhe të ndjeshme në treg, i cili ka zgjedhur të udhëheqë një parti të majtë… edhe kjo është një lloj hipokrizie.“

Mile, duke marrë edhe shembuj nga bota, thotë se ky nuk është rasti i vetëm dhe se, talenti i një njeriu, e bën atë të pasur ose të varfër.

“PSD nuk është partia e Tom Doshit. Në PSD nuk ka njerëz që i shkojnë Doshit pas nga mëngjesi në darkë, siç pretendojnë disa. Nëse do ishte kështu, ata nuk do ishin këtu,” u shpreh ai.

Përfaqësuesi i PSD-së theksoi se partia po forcohet gjithnjë e më shumë dhe është e fokusuar te çështje konkrete si rritja ekonomike, infrastruktura dhe sistemi tatimor. Ai hodhi poshtë çdo insinuatë për një marrëveshje me Partinë Socialiste apo përfshirje në pazare politike, duke theksuar se në radhët e PSD-së ka zëra të fortë kritikë ndaj qeverisë aktuale.

“Jemi parti e ftohtë, me njerëz që kanë formim dhe kapacitet për të qeverisur. Nuk jemi as histerikë, as të kapur,” deklaroi ai, duke nënvizuar se PSD-ja po fiton terren si një alternativë reale për qytetarët që janë zhgënjyer nga përçarjet dhe mungesa e vizionit në kampin opozitar.

Në një reagim të drejtpërdrejtë ndaj Partisë Demokratike, përfaqësuesi i PSD-së i quajti akuzat e saj për lidhje me Doshin si hipokrite. Ai kujtoi se në të kaluarën vetë PD kishte bashkëpunuar me Doshin për largimin e tij nga Kuvendi dhe tani po mundohet ta përdorë si armë politike.

PSD pritet të jetë një nga aktorët më të ndjekur në skenën politike gjatë muajve në vijim, teksa përpiqet të konsolidojë pozitat e saj mes një elektorati gjithnjë e më të lodhur nga përplasjet e vjetra politike.

Mentor Nazarko: Po për bujqësinë? Mile: Nga molla e Korçës te pjata e turistit…

Në “Nazarko Podcast”, Mile prezantoi një program ambicioz për ringjalljen e sektorit bujqësor, që sipas tij ka mbetur i lënë pas dore për dekada.

Në një intervistë të gjatë, ai tha se PSD-ja synon ndërtimin e 50 pikave grumbullimi në të gjithë vendin, vendosjen e çmimeve minimale për produktet bujqësore bazë dhe subvencionim të drejtpërdrejtë për çdo njësi prodhimi.

“Nuk është vetëm çështje subvencionesh. Duhet një vizion që lidh bujqësinë me turizmin dhe industrinë përpunuese,” deklaroi ai, duke shtuar se është paradoksale që turistët në Shqipëri konsumojnë produkte të importuara ndërkohë që prodhimi vendas shpesh mbetet stok.

Mile kritikoi gjithashtu mungesën e mbështetjes së barabartë me vendet e rajonit, duke thënë se “nuk është problemi te tarifat, por te fakti që mbështetja për fermerin shqiptar ka qenë thuajse zero”.

Ai tha se Shqipëria ka potencial të përfitojë miliona euro nga fondet e Bashkimit Europian, por kjo kërkon reformim rrënjësor të administratës publike dhe rritje të integritetit në menaxhimin e fondeve.

Sa i përket aleancave politike, Mile la të hapur mundësinë për bashkëpunim me PS, por përjashtoi çdo lidhje me Sali Berishën, duke theksuar: “Ne nuk kemi popullin në xhep. Mbështetja fitohet me ide.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›