E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahet nga jeta bashkëpunëtori i ngushtë i Nolit

TIRANE- Eshtë ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare të martën në mbrëmje Prof. Peter Prifti. I njohur si një nga figurat më të njohura të Diasporës shqiptare në Amerikë, ai vdiq në një spital të San Diegos në Kaliforni. Peter Prifti shkoi në Amerikë në vitin 1940, në moshën 15-vjeçare me të atin dhe vëllain e madh, të cilët për arsye ekonomike kishin emigruar nga Shqipëria vite më parë. Në vitin 1949, Peter Prifti diplomohet nga universiteti i Pensilvanisë dhe vendoset në Boston. Aty njihet personalisht me Fan Nolin dhe fillon të punojë si sekretar i federatës pan shqiptare Vatra, dhe si redaktor i gazetës "Dielli", së bashku me atdhetarin e njohur Qerim Panariti. Në një intervistë të tij dhënë tri vite më parë, ai tregonte se "ka pasur fatin të ndodhej pranë Nolit, qoftë në lidhje me punët e Vatrës, qoftë në Kryekishën Shën Gjergji ku ai meshonte nga koha në kohë, po ashtu dhe në mbledhjet që bënin shqiptarët. Peter Prifti tregonte: "Mbaj mend sidomos dy takime me Imzot Nolin. Herën e parë, kur vajta në shtëpinë e tij, në vjeshtën e vitit 1958, për të marrë një intervistë me të (apo 'audiencë', siç e quajta unë). Gjatë intervistës Noli tha se ai e konsideronte anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (më 1920) si fitoren më të madhe në veprimtarinë e tij kombëtare, ndërsa trishtimi i tij më i madh ishte largimi nga Shqipëria (më 1924), sepse sikundër u shpreh ai, ajo i dha fund punës së tij në atdhe". Herën e dytë Noli dhe Prifti u takuan në vitin 1960. Sa i takon këtij takimi, Prifti do të shprehej: "Unë, si sekretar i Vatrës, isha duke organizuar seminarin e parë të studimeve Shqiptare në historinë e Federatës. Shkuam te Noli për ta ftuar që të merrte pjesë në seminarin si folës mbi ndonjë temë shkencore, sipas dëshirës së tij. Noli erdhi në seminarin dhe e bëri për vete gjendjen me fjalimin që mbajti për Skënderbeun". Ai është autor i një sërë librash studimorë si: "Shqipëria socialiste që nga viti 1944", në vitin 1978 ku kritikonte regjimin shqiptar. Sa i takon këtij libri, ai do të thoshte se në të nxori në shesh si anët pozitive, ashtu dhe anët negative të regjimit të Enver Hoxhës. "Qëndrimi im objektiv nuk u prit mirë nga shteti i kuq shqiptar. Tirana zyrtare u zemërua kur pa se libri im kishte kritika ndaj regjimit. Ata donin vetëm lëvdata për sistemin e tyre, dhe një vërejtje negative mjaftonte që të hyje në listën e kundërshtarëve ose njerëzve të dyshimtë, nga këndvështrimi i regjimit", - është shprehur ai në një intervistë. Më tej ai ka shkruar: "Kosova në tronditje" në vitin 1969; "Unfinished Portrait of a Country"; "The Albanian-Serb Struggle", 1969-1999; e veç këtyre ka përkthyer në anglisht poema të Naim Frashërit, Nënë Terezës, etj, dhe pjesë nga proza klasike e letërsisë shqipe, por edhe poemën e Vaso Pashës "O Moj Shqypni".
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›