Ndahet nga jeta legjenda e futbollit Sabah Bizi, Beci: I dhuroi Shkodrës shumë trofe dhe lavdi

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Legjenda e futbollit shkodran, Sabah Bizi është ndarë nga jeta ditën e sotme, në moshën 79-vjeçare.
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar ndarjen nga jeta të tij si një ditë të trishtë jo vetëm për botën e sportit, por për të gjithë Shkodrën.
“Një emër që i dhuroi Shkodrës shumë trofe dhe lavdi. Emocionet që solli për tifozët e zjarrtë të Vllaznisë do të mbeten përgjithmonë në kujtesën e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë”, pohon Beci.
Sabah Bizi lindi më 13 nëntor 1946 dhe ka luajtur për Vllazninë e Shkodrës, Partizanin e Tiranës si dhe me ekipin kombëtar të Shqipërisë. /j.p/