E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta në moshën 34-vjeçare aktori i “Breaking Bad”, RJ Mitte

Aktori amerikan RJ Mitte, i njohur për rolin e Walter White Jr. në serialin e famshëm “Breaking Bad”, ka ndërruar jetë në moshën 34-vjeçare.

Lajmi u konfirmua nga përfaqësuesi i tij, i cili shprehu trishtimin për humbjen e aktorit, filantropit dhe aktivistit për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

Sipas autoriteteve, Mitte ndërroi jetë në Brownsville të Teksasit. Departamenti i Policisë së qytetit bëri të ditur se shkaku dhe mënyra e vdekjes nuk janë përcaktuar ende, ndërsa hetimet vijojnë. Policia theksoi se nuk dyshohet për ndonjë akt kriminal.

Mitte u bë i njohur ndërkombëtarisht për interpretimin e Walter White Jr., djalit të personazhit kryesor të luajtur nga Bryan Cranston, në serialin fitues të çmimeve Emmy, ku luajti edhe Aaron Paul. Aktori, i cili jetonte me paralizë cerebrale, shfrytëzoi përvojën e tij personale për t’i dhënë më shumë autenticitet personazhit. Në vitin 2014, ai u vlerësua me një çmim të Screen Actors Guild për punën e tij në serial.

Përfaqësuesi i tij, Sean Reilly, vlerësoi kontributin e Mitte në rritjen e ndërgjegjësimit për personat me aftësi të kufizuara dhe në promovimin e përfshirjes së tyre në shoqëri.

Përveç karrierës në aktrim, Mitte ishte i angazhuar në disa iniciativa humanitare. Ai shërbeu si ambasador për United Cerebral Palsy dhe Shriners Children’s, ndërsa themeloi edhe Fondacionin Mitte, përmes të cilit mbështeti projekte filantropike dhe nisma komunitare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›