E Martë, 3 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta në një aksident atletja shqiptare e maratonave, Anila Muçaj

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Atletja shqiptare e maratonave Anila Muçaj është ndarë nga jeta në Tralee të Irlandës.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, njëherësh Drejtues Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, ngushëlloi familjen e sportistes Anila Muçaj, e cila humbi jetën ndërsa stërvitej në jugperëndim të Irlandës.

Balla u shpreh se, ky është një lajm i trishtë për botën e sportit shqiptar.

Balla shprehet se Anila Muçaj nënë e dy fëmijëve, u aksidentua nga një makinë në kohën kur së bashku me dy sportiste të tjera ishin duke u stërvitur.

“Një lajm i trishtë vjen për botën e sportit shqiptar! Atletja shqiptare e maratonave Anila Muçaj është ndarë nga jeta në Tralee të Irlandës. Shqiptarja jonë e diasporës, nënë e dy fëmijëve, u aksidentua nga një makinë në kohën kur së bashku me dy sportiste të tjera ishin duke u stërvitur. Ngushëllime familjes. U prehsh në paqe Anila!”, shkruan Balla.

48-vjeçarja, me origjinë nga Tepelena, nënë e dy fëmijëve, u përplas nga një makinë ndërsa ishte duke u stërvitur në një rrugë të njohur për vrapim dhe çiklizëm në Tralee të Irlandës.

Sipas mediave irlandeze, drejtuesi i mjetit, një 80-vjeçar që kishte shfaqur probleme shëndetësore, humbi kontrollin e automjetit, duke shkaktuar aksidentin fatal.

Anila Muçaj nuk mundi t’i mbijetonte plagëve. Dy mikeshat e saj, të cilat ishin bashkë me të, kanë pësuar lëndime, por janë jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu, edhe drejtuesi i mjetit ndodhet në spital në gjendje të stabilizuar.

Anila njihej si një atlete e përkushtuar dhe kishte marrë pjesë në disa maratona ndërkombëtare.

Muçaj ishte anëtare e klubit Born to Run me bazë në Tralee dhe ishte një atlete e apasionuar, pasi kishte marrë pjesë në një numër maratonash vitet e fundit.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›