E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndalohet Adriatik Alimadhi, policia: Kundërshtoi efektivët, po kontrollonin për lojëra fati në lokal

Kreu i partisë së Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, është shoqëruar nga blutë e kryeqytetit. Policia e Tiranës tha se shoqërimi i tij është bërë, pasi Alimadhi ka kundërshtuar me forcë efektivët, të cilët kishin shkuar aty për kontroll lidhur me aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Në reagimin e posaçëm për mediat, blutë e kryeqytetit thanë, se, gjatë një kontrolli të ushtruar nga shërbimet e Policisë në një lokal në rrugën e “Dibrës”, me qëllim verifikimin e informacionit se në këtë ambient ushtrohej veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit dhe basteve sportive, ka refuzuar të zbatojë urdhrat e punonjësve të Policisë, duke i kundërshtuar verbalisht dhe fizikisht dhe ka tentuar të largohet nga ambienti, pavarësisht kërkesës për të qëndruar në vendin ku ndodhej, deri në përfundim të procedurës.

Lidhur me këtë çështje është vënë në lëvizje edhe  Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë.

Kjo e fundit ka nisur veprimet verifikuese, bazuar në pamjet filmike të publikuara në rrjete sociale dhe pretendimet e paraqitura nga kreu i partisë së Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, se shoqërimi i tij është bërë në kundërshtim me ligjin.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›