Ndarja nga jeta e Dine Abazit, Spahiu: Figurë e nderuar e mjekësisë shqiptare

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Kloida Spahiu, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të prof. dr. Dine Abazit, mjekut të njohur dhe një prej figurave të vlerësuara të mjekësisë shqiptare.
Në një reagim në rrjetet sociale, Spahiu e cilëson Abazin si një profesionist me përvojë të gjatë, drejtues dhe përfaqësues të denjë të mjekësisë shqiptare, i cili për dekada i shërbeu shëndetësisë me dije, përkushtim dhe përgjegjësi.
“Një mjek i nderuar kardiolog, një profesionist me përvojë të gjatë, një drejtues dhe përfaqësues i denjë i mjekësisë shqiptare. Por mbi të gjitha, një njeri me dinjitet, urtësi dhe një përkushtim të rrallë ndaj profesionit të tij. Për dekada, ai i shërbeu shëndetësisë shqiptare. Me dijen, me përvojën, me përgjegjësinë dhe me respektin e thellë për njeriun. Në çdo detyrë që mbajti, la pas jo vetëm punën e tij, por edhe shembullin e një profesionisti që e kuptonte mjekësinë si mision dhe shërbimin si përgjegjësi”, tha Spahiu.
Ministrja Spahiu thekson se madhështia e tij shfaqej në sjellje, në fjalën e peshuar, në respektin për tjetrin dhe në mënyrën se si qëndronte pranë njerëzve.
“Profesor Abazi ishte nga ata njerëz që nuk të imponoheshin me praninë e tyre. Ta fitonin respektin natyrshëm. Dhe ky është ndoshta kujtimi më i bukur që mund të lërë pas një njeri”, shprehet Spahiu.
Ministrja Spahiu u përcolli ngushëllimet e rastit familjes, miqve dhe të afërmve të prof. dr. Dine Abazit.
/e.i/r.e/a.f/