Ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, Baçi: Veprat e tij “do jetojnë”, promotor i letërsisë që e bëri Shqipërinë të njohur nga bota

Gazetari Agim Baçi deklaroi nga studio e RTSH24 se Ismail Kadare, është promotor i një letërsie që e bëri Shqipërinë të njohur në botë përmes kulturës, letërsisë dhe identitetit.
Baçi shprehet se një prej kontributeve më të jashtëzakonshme të Kadaresë është dimensioni i tij në këmbënguljen për ndërtimin e një identiteti dhe pasuruesi i gjuhës shqipe e përçimt të saj në botë.
“Ismail Kadare është nga ata personazhe që ka disa dimensione në kulturën shqiptare, është promotori i një letërsie që e bëri Shqipërinë të njohur dhe aktualisht është e përkthyer në 45 gjuhë të botës.
Pra, është ndoshta njeriu që e ka bërë më të njohur Shqipërinë përmes kulturës, letërsia si një amanet për njeriun.
Një nga kontributet më të jashtëzakonshme që ka Kadare është kontributi i tij në letërsinë botërore, në letërsinë tonë shqipe, në gjuhën tonë, si një pasurues i jashtëzakonshëm i kësaj gjuhe dhe i përçimit të gjuhës shqiptare në botë.
Së dyti është dimensioni i tij në këmbënguljen për të ndërtuar një identitet.
Ka vazhduar idetë e mëdha të atyre që ne i quajmë rilindja apo që janë persona që kanë kontribuar për një mendim shqiptare.
Këto do vazhdojnë, Kadare është larguar fizikisht, por vepra e tij është dimension tjetër që do vazhdojë do debatohet”, u shpreh Baçi.
Në lidhje me kritikat se Kadare nuk ishte disident, Baçi u shpreh se vetë shkrimtari e ka pranuar një gjë të tillë. Sipas tij, pyetjet që duhen ngritur në këtë rast janë: ku është vepra e tij sot, a lexohet, a ka të njëjtën fuqi, a është kaq e lexueshme sa më parë?
“Nuk është kritikë. Euforia e lexuesve nuk nënkupton linjën përfundimtare rreth figurës së Kadaresë. Vetë Kadareja e ka pranuar që nuk ka qenë disident.
Për të kuptuar Kadarenë, duhet të kuptojmë kompleksitetin e sistemit, kompleksitetin e diktaturës. Vetë ata që drejtonin shtetin jetonin në frikë se mund të gjendeshin në vorbullën e një grupi armiqësor.
Pse duhet të ishte i qetë Kadare? Vetë Kadareja, e ka pranuar një lloj takse që i ka paguar sistemit. Ajo ishte mënyra për të mbijetuar dhe shkruar.
Vetë Kadare e ka pranuar që ishte para 3 alternativave; “o do lija letërsinë, gjë që nuk doja; ose do shkruaja vepra si Dasma, gjë që nuk doja; ose do paguaja taksën, për të patur liri të madhe vendosa të paguaja një taksë të madhe. Jo të merresha me partinë, por me Enverin”.
Është e kuptueshme që Kadare dhe sistemi kanë patur një marrëdhënie.
Nuk ka të bëjë kjo, se i bie të bëhemi cinikë dhe të themi pse s’u bëre disident që edhe të vrisnin? Edhe këtë lloj cinizmi s’mund t’ia lejojmë vetes”, u shpreh gazetari.
Ismail Kadare u nda nga jeta një ditë më parë (2 korrik) në moshën 88-vjeçare. Veprat i tij i shpëtuan edhe censurës së komunizmit, si vepra e tij e famshme “Pallati i ëndrrave”. Kadare është vlerësuar me çmimet botërore “Cino del Duca”, çmimin “Man Booker” ndërkombëtar, Çmimin e letërsisë së Princit të Asturias, çmimin “Jerusalem”, çmimin “Nonino 2018”, çmimin “Bokacio”, çmimin “Lerici Pea” po në Itali. Presidenti francez Macron i dha titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”, duke e cilësuar si “autor i mrekullueshëm i historisë së Ballkanit”.
Në nderim të shkrimtarit Ismail Kadare, qeveria vendosi shpalljen ditë zie kombëtare të martën dhe të mërkurën (2 dhe 3 korrik).
/rtsh.al/