E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, Basha: Patriark i letrave shqipe

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Kryetari i demokratëve euroatlantikë, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta ditën e sotme të shkrimtarit të mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare.

“Patriarku i letrave shqipe, ambasadori i kulturës shqiptare në botë”, shkruan Basha në një reagim në rrjetet sociale, ndërsa shton se kombi ka humbur një mbrojtës të flaktë të identitetit kombëtar.

“Ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, është një lajm i trishtë për kulturën dhe kombin shqiptar. Patriarku i letrave shqipe, ambasadori i kulturës shqiptare në botë, shkrimtari që mbajti gjallë vetëdijen dhe shijen letrare për gati gjysmë shekulli, mbylli sytë përgjithmonë për të fituar pavdekësinë në altarin e letërsisë dhe kulturës së përbotshme, theksoi Basha.

“Me veprën e tij letrare, me shumëllojshmërinë e zhanreve dhe universin e temave, Kadare është krenaria e kulturës kombëtare dhe përfaqësuesi më i denjë i letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX”, nënvizoi Basha.

“Me largimin e tij nga kjo botë, kultura dhe letërsia ka humbur një zë origjinal të jashtëzakonshëm, kombi ka humbur një mbrojtës të flaktë të identitetit kombëtar, familja dhe të afërmit njeriun e dashur, miqtë dhe kolegët  mikun e tyre të pazëvendësueshëm”, theksoi më tej Basha.

“Në këtë ditë të trishtë, jam pranë familjes dhe të afërmve me lutjet për paqe të merituar dhe amshim të paharruar! Le të prehet i qetë, shkrimtari ynë i madh!”, përfundoi mesazhin e tij Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›