Ndarja nga jeta e Tanush Mulletit, Basha: Përfaqësues i denjë i të përndjekurve politikë

TIRANË, 21 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Tanush Mulletit.
Basha u shpreh se, ndarja nga jeta e Mulletit, si pinjoll i denjë i një prej familjeve më fisnike të Tiranës, është një lajm i trishtë, jo vetëm për familjarët dhe të afërmit, por edhe për miqtë, bashkëpunëtorët dhe bashkudhëtarët e kauzës së lirisë dhe dinjitetit kombëtar.
“Tanush Mulleti ishte përfaqësues i denjë i një brezi të përndjekurish politikë që treguan dinjitet, largpamësi dhe kurajo”, theksoi Basha.
“Si kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë ai bëri gjithçka që shtresa nga e cila vinte të trajtohej me dinjitet dhe të kishte rolin që i takonte në shoqërinë shqiptare”, nënvizoi Basha.
“Njerëz të tillë fisnikë dhe të virtytshëm që vuajtjet e patregueshme të përndjekjes i kthyen në forcë dhe në guxim për të dëshmuar realitetin e kobshëm të diktaturës, meritojnë nderimin dhe mirënjohjen më të thellë të qytetarëve dhe vendit. U prehtë në paqen e merituar dhe i paharruar kujtimi i tij”, përfundoi kreu i PD, Lulzim Basha.