Ndarja nga jeta e speleologut Erkin Lika, reagon struktura e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi shprehu sot hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta të anëtarit të shoqatës speleologjike, mikut dhe bashkëpunëtorit të çmuar, Erkin Lika.
Erkin Lika ishte një mbështetje e vyer në operacionet e kërkim-shpëtimit, duke bashkëpunuar ngushtë me strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, organizatat ligjzbatuese dhe ekipet vullnetare.
“Në misionet më sfiduese, ku u angazhuan rreth 90 punonjës të strukturave operacionale të kërkim shpëtimit të koordinuara nga drejtuesit e institucioneve qendrore dhe në bashkëpunim me organizatat e tjera ligjzbatuese dhe vullnetarët, ai dëshmoi profesionalizëm, përkushtim dhe shpirt të lartë sakrifice”, thuhet në reagimin e Drejtorisë së Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi.
Në këto momente të vështira, Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe shoqatës speleologjike për humbjen e anëtarit të saj.
“Kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten gjithmonë të nderuara. U prehsh në paqe! Lavdi kujtimit tënd”, përfundon mesazhi i Drejtorisb së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi.
1 nga 6/m.m/j.p