E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërhyrje e suksesshme te Spitali i Traumës te fëmija 16-muajsh me arthrogryposis

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Një ndërhyrje e ndërlikuar ortopedike është realizuar me sukses në Spitalin Universitar të Traumës, te një fëmijë vetëm 16 muajsh, i lindur me arthrogryposis.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale përmes një postimi në rrjetet sociale ndau detaje nga rrugëtimi i vogëlushit, i cili kishte kaluar vështirësi shëndetësore që në ditët e para të jetës.

Sipas ministrisë, fëmija qëndroi për rreth dy muaj në inkubator dhe në kujdes intensiv, ndërsa më pas trajtimi i tij vijoi përmes një qasjeje të specializuar dhe multidisiplinare.

Ky proces kulmoi me ndërhyrjen kirurgjikale ortopedike, e cila u realizua me sukses nga ekipi mjekësor.

Aktualisht, vogëlushi është në gjendje të mirë shëndetësore dhe vijon të jetë nën kujdesin e ekipit mjekësor.

“Një histori force, përkushtimi dhe shprese nga Spitali Universitar i Traumës. Vetëm 16 muajsh, i lindur me Arthrogryposis, vogëlushi iu nënshtrua me sukses një ndërhyrjeje të ndërlikuar ortopedike, pas një rrugëtimi të vështirë që nga ditët e para të jetës. Pas dy muajsh në inkubator dhe kujdesit intensiv, trajtimi i tij vijoi me një qasje të specializuar dhe multidisiplinare, duke kulmuar me ndërhyrjen kirurgjikale të realizuar me sukses. Sot, vogëlushi është në gjendje të mirë dhe nën kujdesin e ekipit mjekësor”, njoftoi MSHMS.

Ndërhyrja u realizua nga një ekip multidisiplinar, i përbërë nga kirurgu ortoped prof. dr. Gjergj Çaushi, specializantët dr. Glori Prifti dhe dr. Valbona Iliazi, anestezisti dr. Ardit Kuqi, instrumentarja Shyqyrie Saraçi dhe infermieret e sallës operatore Fatbardha Hoxha dhe Rita Kalo.

MSHMS shprehu mirënjohjen për profesionalizmin dhe përkushtimin e ekipit që mundësoi realizimin me sukses të ndërhyrjes.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›