E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ndërprerja e seancës, Zhupa: Inskenim për të mos lejuar interpelancën me Manastirliun

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ Seanca e sotme parlamentare u mbyll pas fjalorit të përdorur mes opozitës dhe mazhorancës. Ministrat dhe deputetët socialistë lanë sallën e Kuvendit pas deklaratave të deputetes Ina Zhupa kundrejt deputetit Erion Braçe.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa tha pas mbylljes se seancës së gjithçka u bë për të mos lejuar interpelancen e saj me ministren e Arsimit dhe Sporteve Ogerta Manastirliu.

“Ishit dëshmitarë të një inskenimi bajat që bëri mazhoranca me demek u indinjuan nga fjalët e popullit shqiptar dhe nuk ishin indinjuar kur u vra në dyert e shkollës Martini, por zgërdhiheshin atje në vend të jepnin dorëheqjen apo të shkonin në funeral. Sot ishte një inskenim i pastër për të mos lejuar interpelancën sepse 55% e shkollave nuk kanë oficerë sigurie, sepse 5 kanë wireles. Nuk kishin arsye për të thënë pse dalin pedagogët në Sky ECC dhe Enchrochat dhe përdorën inskenimin”, tha Zhupa.

Zhupa theksoi se i qëndron fjalorit të përdorur në Kuvend kundrejt deputetit Erion Braçe.

“Unë nuk lejoj asnjë burrë të më ofendojë, jo më burrec. Gjithçka u tha në parlament është publike, unë i qëndroj fjalëve të mia. I qëndroj akuzave me fakte dhe prova për dështimin e kësaj mazhorance në arsim, për mungesën e sigurisë në shkolla. Unë asaj interpelance i qëndroj, fjalorit, dhe asaj që i thashë Braçes të mos hajë shumë miza, nuk trembemi nga Braçe dhe askush tjetër. Nëse ka një fjalor për t’u dënuar është ai i kryeministrit Edi Rama dhe Braçes. Le të marrin masa njëherë për ta, pastaj për ne të tjerët”, tha Zhupa. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›