Ndërpritet greva e urisë në Qendrën Korrektuese të Dubravës

Sot në Qendrën Korrektuese të Dubravës është ndërprerë greva e urisë nga të dënuarit e kësaj qendre, grevë e cila kishte filluar para nëntë ditëve.
Pas një takimi të udhëheqësve të Qendrës me Këshillin grevistë, këta të fundit kanë njoftuar se e ndërpresin grevën pa kushte, njofton Koha Ditore.
Siç dihet, dje zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e familjeve të të burgosurve, me të cilët ka biseduar për Ligjin për Amnisti, arsye për të cilën të dënuarit e Qendrës Korrektuese të Dubravës kanë filluar grevën e urisë.
Gjatë kohës së grevës, të dënuarve grevistë iu është ofruar ndihma mjekësore e nevojshme në mënyrë profesionale nga stafi mjekësor i kësaj qendre, ndërsa edhe të dënuarit grevistë i janë përmbajtur rregullave të institucionit./Indeksonline/