E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nderron jete Lirak Bejko

Dhjetë ditë pas mbylljes së grevës së urisë shënohet viktima e parë e protestës së ish-të përndjekurve.

Lirak Bejko, një nga dy ish-të përndjekurit politikë të cilët ndërmoren aktin e vetëflijimit në shenjë proteste ndaj qeverisë shqiptare për mosplotësimin e kërkesave të tyre për dhënien e dëmshpërblimit humbi jetën rreth mesditës së të premtes në një nga spitalet e Barit në Itali.

Sipas mjekëve, Bejko ndërroi jetë pak pas orës 11:30 të paradites, duke mos i përballuar dot plagët e djegies të shkallës më të rëndë në më shumë se 50 përqind të trupit.  

Bejko iu bashkua grevës së urisë pikërisht ditën që një tjetër grevist, Gjergj Ndreca kishte tentuar vetëflijimin.

Gjatë një takimi me ambasadorin amerikan Arvizu në ambientet e grevës, ai u bë i njohur si aktivist në grevë pasi nxorri protezat e dhëmbëve që i ishin thyer në burgjet e komunizmit.

Dy ditë më pas ai ndoqi aktin e shokut të tij në përpjekje të dëshpëruar për të kërkuar një zgjidhje të dhënies së dëmshpërblimeve.

Bejko fillimisht u shtrua ne spitalin universitar “Nënë Tereza” në Tiranë, por mjekët deklaruan se gjendja shëndetësore e tij ishte tejet e vështire, pasi si pasojë e flakëve kishte djegie dhe plagë në një pjesë të organeve jetësore.

Me inisiativen e kreut të Partisë Socialiste dhe mbështetjen e ambasades italiane, ai u dërgua në një klinikë më të specializuar për djegiet në Bari të Italise, por pavarësisht trajtimit intensiv nuk mundi t’i mbijetonte plagëve.

Shoket e tij të grevës së urisë janë duke u marrë me përgatijet e ceremonisë së varrimit, ndërkohe që trupi pritet të kthehet të dielen në mbrëmje.

Grevistet e urisë kërkojne që ceremonitë e lamtumires të kryhen në institutin e integrimit të të përndjekureve politikë.

”Ne do të kërkojmë që tek instituti të bëhen homazhet e fundit të Lirakut. Nesër në nëntë do të jenë grevistët dhe një pjesë të ish-të përndjekurve, për të kërkuar në mënyrë paqësore që të vihen në dispozicion ambientet e institutit. Drejtojmë gishtin e akuzës ndaj kryeministrit, përgjegjësi i drejtpërdrejtë i këtij akti makabër”, deklaroi Skënder Tufa, koordinatori i ish-të përndjekurve gjatë grevës së urisë.

Rama: Bejko, viktimë e indiferencës së qeverisë

Lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, e konsideroi si një humbje të rëndë dhe tronditëse për Shqipërinë, ndarjen nga jeta të ish-të përndjekurit politik, Lirak Bejko.

”Jam i shokuar nga vdekja jonatyrale e të burgosurit politik Lirak Bejko. Ai nuk arriti t’i mbijetonte vuajtjes së shkaktuar nga indiferenca e qeverisë. Vdekja e grevistit është një tragjedi tronditëse për Shqipërinë e votave të vjedhura”, konsideroi Rama.

AK: Bejko, viktimë e regjimit të Berishës

Edhe Aleanca Kuqezi ka reaguar për ndarjen tragjikisht nga jeta të ish të përndjekurit politika, Lirak Bejko.

Në një komunikatë për mediat, AK thotë se Bejko është një martir i demokracisë që do të frymëzojë gjithmonë revoltën për liri. Bejko, thuhet më tej, është viktima e radhës e mbjellë nga regjimi i Berishës i cili për këtë veprime duhet të ndëshkohet.

AK shton se ish i përndjekuri Bejko do të nderohet si Hero i Demokracisë.

FRD: Viktima e një pushteti as demokratik dhe as europian

Ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të Lirak Bejkos u ka dërguar edhe Fryma e Re Demokratike. Në deklaratëne FRD-së thuhet se Bejko sakrifikoi rininë e tij në demokraci. “Një pushtet i ndërtuar mbi viktima, nuk është as demokratik dhe as europian”, thuhet më tej në deklaratë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›