Ndërtim 5-kate pa leje në Qeparo, Tavo shkrin IMT-në Himarë, shkarkohen 5 punonjësit

Një ndërtim 5-katësh që dyshohet se është kryer pa lejen përkatëse në Qeparo ka sjellë masa ndaj pesë punonjësve të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) pranë Bashkisë Himarë. Drejtuesi dhe inspektorët janë shkarkuar nga detyra, ndërsa dosja është referuar në Prokurori, ku ka nisur hetimi për përgjegjësitë e tyre.
Vendimi është marrë nga kryebashkiaku i Himarës Vangjel Tavo, ndërsa çështja është referuar edhe në Prokurori, e cila pritet të hetojë rrethanat e ndërtimit dhe përgjegjësinë e punonjësve që kishin për detyrë kontrollin e territorit.
Sipas të dhënave paraprake, dyshimet lidhen me faktin se ndërtimi është lejuar të vijojë pavarësisht mungesës së dokumentacionit të nevojshëm.
Në fokus të hetimit do të jetë mënyra se si është kryer ndërtimi, nëse strukturat përgjegjëse kanë ushtruar kontrollet e parashikuara nga ligji dhe nëse ka pasur neglizhencë apo shkelje nga ana e punonjësve të IMT-së.
Kjo nuk është hera e parë që drejtoria e IMT-së në Himarë përballet me masa administrative. Drejtuesi i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, ka ndërmarrë më herët ndryshime në strukturat e inspektimit të territorit.