“Ndërtimi i Kopshtit nr.37” në Tiranë, shpronësohet pronari

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Kopshtit nr.37”, në bashkinë e Tiranës.
Sipas vendimit, pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, kompensohet me një vlerë të përgjithshme prej 25 247 313 lekësh.
Kjo vlerë përballohet nga buxheti i bashkisë Tiranë.
Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, kompensohet për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë bashkisë Tiranë.
Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga bashkia Tiranë.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të bashkisë Tiranë për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të bashkisë Tiranë për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
/k.s/