Ndërtimi i paligjshëm 5-katësh në Qeparo, pezullohet zinxhiri komandues i Policisë së Himarës

Ndërtimi i një objekti 5-katësh pa leje në Qeparo ka sjellë pezullimin e zinxhirit komandues të Policisë së Himarës, ndërsa më herët Bashkia Himarë kishte vendosur edhe shkrirjen e strukturës së Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin nga detyra të katër punonjësve të Policisë që kanë qenë në detyrë gjatë periudhës kur ka nisur ndërtimi i objektit në Qeparo.
Nga detyra janë pezulluar:
- Nënkomisar Ferit Merkaj, ish-Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Vlorë;
- Komisar Emiljano Prenga, ish-Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Himarë, aktualisht me të njëjtën detyrë në Komisariatin e Policisë Divjakë;
- Nënkomisar Klodjan Petani, ish-Specialist për Hetimin e Krimit në Zonën Policore nr. 1, aktualisht Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë;
- Inspektor Redin Çaushaj, me detyrë Ndihmës/Specialist SPZ në Zonën Policore nr. 1 të Komisariatit të Policisë Himarë, ku u konstatua ndërtimi pa leje.
Pezullimi i tyre është shoqëruar me nisjen e hetimit disiplinor, pasi në vendin e quajtur “Sugë”, Qeparo, është konstatuar një objekt me një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë, i ndërtuar pa lejen e organeve kompetente.
Sipas verifikimeve paraprake, ndërtimi kishte nisur që në dhjetor të vitit 2025, ndërsa nga ana e Komisariatit të Policisë Himarë nuk janë marrë masat e nevojshme për parandalimin e ndërtimit dhe referimin e përgjegjësve.
Për këtë rast, edhe pronari i ndërtimit L. B., banues në Laç, është arrestuar nga Policia e Himarës, ndërsa janë shpallur në kërkim edhe tre punonjës të IMT-së Himarë, mes tyre kryeinspektori dhe dy inspektorë, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Objekti i ndërtuar pa leje në zonën e Qeparoit është shembur gjatë ditës së sotme nga Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT).
Masat ndaj punonjësve të Policisë vijnë pasi edhe Bashkia Himarë vendosi të shkrijë strukturën e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit.
Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, deklaroi se kishte vendosur për herë të dytë brenda një viti të shkrijë IMT-në e bashkisë, duke e lidhur vendimin me neglizhencën dhe mosveprimin ndaj ndërtimeve pa leje.
Sipas tij, një nga rastet konkrete ishte pikërisht objekti 5-katësh në zonën e Qeparoit, për të cilin ai tha se ishte ndërtuar në kundërshtim me ligjin.
Tavo bëri të ditur gjithashtu se do t’i kërkonte IKMT-së të marrë përkohësisht përsipër kontrollin e territorit të Himarës, për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe situatës së krijuar.
/rtsh.al/