Ndërtimi, plagos me armë ortakun

Qyteti i Pogradecit
Konflikti për pronësinë e një pallati ndërmjet dy ortakëve të ndërtimit çoi në plagosjen me armë zjarri të njërit prej tyre.Ngjarja ndodhi dje rreth orës 08:00, kur në Lagjen Nr.1 të Pogradecit mbeti i plagosur biznesmeni Albert Xhemollari, 44 vjeç. Policia tha se Xhemollari është qëlluar nga shtetasi Lorenc Lakmani, nga Pogradeci. Biznesmeni është qëlluar me një minipistoletë në pjesën e shpatullës së djathtë dhe është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e qytetit, nga ku ka marrë trajtimin mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet e policisë rezultoi se plagosja ka pasur si motiv një konflikt pronësie. Lorenc Llakmani, autori tashmë i arrestuar, ka pretenduar pronësinë mbi një truall në të cilin, së bashku me biznesmenin Xhemollari, kanë filluar të ngrenë një pallat. Mosmarrëveshjet midis 44-vjeçarit Llakmani dhe biznesmenit të sektorit të ndërtimit në Pogradec nuk janë zgjidhur dhe konflikti midis tyre ka mbetur pezull për një kohë relativisht të gjatë. Duke qenë se pretenduesi për pronësinë e truallit dhe biznesmeni i ndërtimit, pavarësisht nga konflikti për pronësinë, komunikonin pasi ishin miq, janë ulur dje edhe njëherë që të sqarojnë konfliktin midis tyre. Ata kanë qenë në një kafe në qendër të Pogradecit, por edhe këtë herë nuk kanë arritur ti zgjidhin mosmarrëveshjet. Ti nuk ke respektuar kontratën që kemi bërë për të më shpërblyer si pronar i truallit, prandaj nuk duhet të vazhdosh ndërtimin e mëtejshëm të pallatit. Kështu është shprehur me zë të lartë në lokal autori para se të kryente plagosjen. Sipas policisë, e cila bazohet te pohimet e dëshmitarëve, biznesmeni është shprehur se ishte dakord që të ndërpriste punimet, por me kushtin që ti kthehen paratë e investuara deri në këtë fazë të ndërtimit të pallatit. Këto pretendime kanë ndezur sherrin midis dy bashkëbiseduesve dhe ndërsa biznesmeni është ngritur për të dalë nga lokali, Llakmani e ka qëlluar nga pas me një pistoletë që e mbante me vete. Ai ka marrë një plumb në shpatullën e djathtë. Autori i plagosjes, duke e pandehur të vrarë partnerin e tij në biznes, është larguar menjëherë nga qendra e qytetit për ti shpëtuar arrestimit. Policia e Pogradecit është vënë në ndjekje me forca të shumta për kapjen e autorit të plagosjes dhe pas pak orësh është bërë i mundur lokalizimi i Llakmanit në një banesë të vjetër, rreth 200 metra larg shtëpisë së tij, ku qëndronte i fshehur.
KORÇE/ GEZIM ASHIMI