Ndihmat në Siri, OKB kërkon 10 miliardë dollarë. Blinken: “Të mos politizohet ndihma”

Organizata e Kombeve të Bashkuara i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për grumbullimin e 10 miliardë dollarëve për nevojat urgjente të ndihmës humanitare për 24 milionë sirianë. Zyra për koordinim të çështjeve humanitare të OKB-së, Komisariati i OKB-së për refugjatë dhe Programi zhvillimor i OKB-së publikuan një njoftim në të cilën paralajmëruan për krizën gjithnjë më të madhe të urisë dhe varfërisë në mesin e sirianëve. “Numri i sirianëve të cilëve këtë vit u nevojitet ndihmë humanitare brenda Sirisë dhe shteteve fqinje është rritur nga 20 në 24 milionë. Për këtë vit nevojitet të mblidhen 10 miliardë dollarë për këto nevoja”, thuhet në njoftim.
Nëse fondi arrihet 4.2 miliardë dollarë do të dedikohen në ndihmë për sirianët në Siri, ndërsa 5.8 miliardë dollarë do të ndaheshin për nevojat e sirianëve si refugjatë në vendet fqinje.
Mbi ndihmat foli edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken gjatë një takimi virtual të Këshillit të Sigurimit. Ai tha ndihma humanitare për Sirinë nuk duhet të shndërrohet në një çështje politike. Blinken bëri thirrje për hapjen e më shumë vendkalimeve kufitare për të dërguar ndihma përmes kufirit turk dhe atij irakian.
Duke iu referuar Rusisë dhe aleatit të saj të ngushtë presidentit sirian Bashar Assad, Blinken tha se Këshilli i Sigurimit duhet të “ndalojë të bëjë justifikime për sulmet” ndaj spitaleve dhe pranë pikës së vetme kufitare të kalimit të autorizuar, e cila ka mbyllur rrugët për ndihmë. Blinken kryesoi një takim virtual të Këshillit të Sigurimit, pasi Shtetet e Bashkuara mbajnë presidencën e rradhës të Këshillit. “Le t’i mundësojmë vetes më shumë rrugë, në vend se më pak rrugë, për t’i ofruar ushqim dhe ilaçe popullit sirian”, tha Blinken.
Sekretati amerikan bëri thirrje për një zgjidhje përfundimtare në Siri bazuar në Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit, e miratuar unanimisht më 2015.