Ndoka kryen denoncim në prokurori: Na vodhën një deputet. Berisha të japë dorëheqjen
Tiranë, 22 tetor NOA - Partia Demokristiane ka denoncuar sot në Prokurori vjedhjen e votave, sipas tyre gjatë procesit në zgjedhjet e 28 qershorit, në Qarkun e Shkodrës.
Të vendosur për ti shkuar deri në fund zbardhjes dhe transparencë së numërimit të votave, grupi i ekspertëve pranë PDK-së, pasi tërhoqi në mënyrë zyrtare nga KQZ procesverbalet përkatëse dhe pamjet filmike të KZAZ nr.40, 41, 42, 43 dhe 44, zbulon nëpërmjet rinumërimit fakte dhe prova tronditëse të manipulimit të procesit zgjedhor në këto zona.
Faktet janë të shumta dhe nga rinumërimi i votave në Qarkun e Shkodrës duket qartazi se, Partia Demokratike nëpërmjet komisionerëve të saj i ka shtuar vetes vetëm në Qarkun e Shkodrës 11.784 vota thuhet në deklaratën e PDk-së lëshuar mesditën e sotme.
Sipas saj Koalicionit Poli i Lirisë i janë vjedhur 5.873 vota, ku më e dëmtuara është PDK.
Pra sipas kësaj partie, Koalicionit Poli i Lirisë dhe konkretisht PDK-së i është vjedhur një mandat deputeti në Kuvendin e Shqipërisë në Qarkun e Shkodrës, duke pasur të qartë që mbetën 4.014 vota që i rezistuan duarve të komisionerëve.
Ajo që ne sot ne provojmë me prova është maja e ajsbergut, por ajo që ne dimë është shumë më tepër se kaq.
PDK ka bërë padi në KQZ për rinumërimin e votave në Qarkun e Shkodrës, megjithëse në bazë të Kodit Zgjedhor, dy anëtarë të KQZ mbështetën kërkesën tonë ligjore, KQZ me shumice votash vendosi të shkelë ligjin.
Të njëjtën kërkesë i kemi drejtuar edhe Kolegjit Zgjedhor, por për habinë tonë institucioni garant i Kodit Zgjedhor, vendosi në presionin e politikës të shkelë ligjin me shumicë votash.
Partia Demokristiane, pasi ka faktuar vjedhjen e votave që është realizuar nga ndërhyrjet e qeverisë dhe PD-së gjatë procesit zgjedhor të 28 Qershorit në qarkun e Shkodrës, e bindur që kjo vjedhje është realizuar në të gjithë vendin, i kërkon Kryeministrit, Sali Berisha të japë dorëheqjen, si përgjegjësi kryesor për dështimin e procesit zgjedhor dhe përfshirjen e vendit në një krizë të thellë politike, ekonomike e morale deklaroi sot kreu i PDK-së, Nard Ndoka.
Ai shtoi se PDK, kërkon krijimin e një qeverie teknike me përfshirjen e të gjitha partive me peshë në jetën politike, në mënyrë që të realizohen disa reforma të rëndësishme dhe jetike për vendin, si reforma në kodin zgjedhor, reforma në sistemin e drejtësisë dhe reformat e tjera për të plotësuar standardet për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptar në BE dhe së fundi garantimin e zgjedhjeve të drejta dhe të lira.
k.k/NOA