Ndoni për ATSH-në: Këlcyra 35 mijë turistë në 2024, 30% më shumë priten këtë vit

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Këlcyra po kthehet në një destinacion gjithëvjetor, për turistët vendas dhe të huaj. Kryetari i bashkisë së këtij qyteti, Klement Ndoni tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, se bashkia ka një seri planesh dhe projektesh strategjike për ta kthyer këtë qytet në një prej destinacioneve të rëndësishme në vend.
“Në Këlcyrë, turizmi është prezent gjatë gjithë vitit, por fluksi më i madh fillon në muajin prill, deri në shtator. Gjatë vitit të kaluar Këlcyrën e kanë vizituar mbi 35 mijë turistë, ku më shumë se gjysma ishin turistë të huaj, nga Italia, Gjermania, Polonia etj.”, tha Ndoni.
“Shoh përditë një kërkesë të shtuar nga individë të cilët kërkojnë që shtëpitë e tyre aktuale apo të vjetra t’i ndërtojnë dhe t’i kthejnë në hotele, bujtina, duke marrë iniciativa apo duke u mbështetur edhe nga ana jonë, janë vetëpunësuar te sektori i turizmit”, vijoi ai.
Kryebashkiaku i Këlcyrës, theksoi se aktualisht janë duke u zhvilluar disa ndërtime në fushën e hotelerisë, ku nga këto janë përfunduar dy hotele në qytet dhe në fshatrat e luginës së Deshnicës.
“Për vitin 2025 kemi planifikuar dhe disa ndërhyrje për të krijuar dy atraksione turistike në qytet, ku bëhet fjalë për Sarajet e Ali bej Këlcyrës dhe shëtitoren që shkon deri te liqeni i Këlcyrës. Deri tani nga kontaktet që kemi me operatorët turistikë, pritet që për vitin 2025 të ketë një rritje të turistëve me 30% më shumë se viti 2024”, përfundoi Ndoni.
1 nga 8/a.f/r.e/