E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotet Uji i Ftohte ne Vlore

Burimi i Ujit të Ftohtë në Vlorë  ku shpesh turistë, vizitorë të qytetit të Vlorës ndalojnë  për të shuar etjen, rezulton i ndotur.

Por shpesh ky burim shfrytëzohet edhe nga banorë të Vlorës  të cilët e konsumojnë atë në shtëpitë e tyre. Specialistë  të Drejtorisë së Shëndetit Publik në Vlorë pohojnë se nga analizat e bëra uji ka rezultuar me nivel të larte ndotjeje bakteorologjike , ndaj kërkojnë që ky ujë të mos konsumohet. “Sa i përket burimit që është në cep, ne sa herë kemi marrë analiza na kanë dalë me një ngarkesë të lartë mikrobologjike dhe sa i përket konsumimit për të pirë kemi njoftuar popullatën që të mos konsumohet”, thotë Hasan Cufaj kreu i Higjenës në DSHP e Vlorës. Rreth 400 banesa të ndërtuara  pa leje në zonën e Ujit të Ftohtë kanë ndikuar në ndotjen e ujit të këtij burimi. Mbeturinat e krijuara nga  familjet që banojnë në to depërtojnë në shtresat  ujë-mbajtëse të burimit , por edhe më e madhe  është ndotja e shkaktuar nga bagëtitë  e familjeve që kanë ndërtuar pa leje në këtë  zonë turistike. Që prej vitit 2009 burimet e Ujit të Ftohtë në Vlorë kanë marrë statusin  "Zonë e mbrojtjes emergjente" i cili e mbron nga ndërtimet pa leje dhe detyron organet vendore të marrin masa të rrepta  për cdo investim në zonën e Ujit të Ftohtë. Por deri më tani ky status nuk është respektuar. Ndërkohë Drejtoria e Ujësjellësit në Vlorë garanton se uji që u shpërndahet konsumatorëve nëpërmjet rrjetit të ujësjellësit  nuk është i ndotur pasi klorinohet rregullisht. “Ujin që prodhojmë e dizinfektojmë dhe  e kontrollojmë atë cdo ditë”, thotë Mimoza Majko, shefe e klorinimit  në Drejtorinë e Ujësjellësit të Vlorës. Sipas specialistëve ndotja e burimit tek Uji i Ftohtë në Vlorë është kërcënim serioz për shëndetin konsumatorëve në Vlorë, aq më tepër kur jemi në prag të sezonit  turistik gjatë të cilit qyteti bregdetar mbipopullohet.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›