Ndreu: Pa Veliajn, Tirana nuk bëhet

TIRANË, 11 janar/ATSH/- Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ka folur për situatën para zgjedhjeve të 11 majit.
Në një intervistë për Klan News, Ndreu u shpreh se historia që administrata publike përdoret për vota, nuk është gjë tjetër veçse alibi e opozitës.
Sipas tij, Shqipëria sot shihet ndryshe në arenën ndërkombëtare. “Shqipëria nuk është ajo e 10 viteve më parë, sot jemi në një tjetër stad. Ka ndryshuar qasja e botës ndaj nesh. Ne e kemi psikozën që duhet të vjellim vrer ndaj njëri-tjetrit, por Shqipëria është më pranë BE-së. Samitet po bëhen në Tiranë. Gjithkush në shtëpinë e vet ka defekte, por nuk është argument kjo. Më mirë se ne nuk e bën dikush, aq më tepër ata që janë provuar. Janë futur në kaos”, theksoi Ndreu.
I pyetur lidhur me ekipin e drejtuesve politikë të Partisë Socaliste në kryeqytet, Ndreu u shpreh se “kjo lëvizje e kryeministrit Edi Rama nuk ka asnjë lidhje me thirrjen e kreut të bashkisë Tiranë në SPAK”. Sipas tij, “pa Veliajn, Tirana nuk bëhet”. “Që nis çështje penale nuk do të thotë se jemi fajtorë. S’mund të kryqëzohemi publikisht. Ato mund të fillojnë kohë pas kohe, dhe ka një nen që flet për prezumimin e pafajësisë. Shtimi i kapaciteteve të punës, ndarja e zonave vjen prej zgjerimit të Tiranës. S’ka lidhje me Veliajn, sepse pa Veliajn, Tirana nuk bëhet dhe kjo është e qartë”, theksoi Ndreu duke shtuar se në PS nuk ka konflikte, por është një skuadër që do shkojë në zgjedhje kompakt me të gjithë faktorët që ka tashmë.