E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshime në ligjin për ofertat publike, synohet më shumë transparencë dhe mbrojtje për investitorët

TIRANË, 10 shtator/ATSH-Maela Marini/ Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu prezantoi sot në komisionin e Ligjeve, disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike”, i cili vjen në kuadër të përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian.

Musabelliu theksoi sot se ndryshimet e propozuara kontribuojnë në rritjen e transparencës, integritetit dhe besueshmërisë së tregjeve të kapitaleve në Shqipëri në forcimin e mbrojtjes së investitorëve dhe përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit tonë me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Sipas tij, pr/ligji është një ndërhyrje e rëndësishme në kuadrin e rregullator të tregjeve të kapitaleve, pasi synon të sigurojë që rregullat që zbatohen në rastet e marrjes në kontroll të shoqërive me ofertë publike të jenë më të qarta, më transparente dhe më të parashikueshme duke garantuar një nivel të përshtatshëm mbrojtjeje për aksionerët.

“Nevojitet që legjislacioni të krijojë një ekuilibër të kujdesshëm ndërmjet të drejtës së investitorëve për të ndërmarrë iniciativa ekonomike dhe nevojës për të mbrojtur aksionerët, integritetin e tregut dhe transparencën e procesit”, sqaroi Musabelliu.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se pr/ligji parashikohen edhe situatat ndërkufitare që do të lindin në raport me tregjet e rregulluara të shteteve anëtare të BE-së apo të zonës ekonomike europiane.

“Kjo është shumë e rëndësishme në perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE sepse tregu i kapitaleve do të duhet të funksionojë brenda një hapësire shumë të gjerë financiare dhe rregullatore”, shtoi ai.

Projektligji, sipas tij, ndërhyn në mënyrë të veçantë në mekanizmin e përcaktimit të çmimit të ofertës. “Në të njëjtën kohë, pr/ligji i jep AMF-së mundësinë që me vendim të arsyetuar të përcaktojë një çmim ofertë më të lartë ose më të ulët, kur çmimi i formuar nuk pasqyron në mënyrë reale dhe objektive vlerën e aksioneve. Ligji përcakton edhe rastet kur mund të ushtrohet kjo kompetencë”, u shpreh Musabelliu.

Këtu, sipas tij, “përfshihen situata kur çmimi është rezultat i një marrëveshje që nuk pasqyron kushtet normale të tregut, kur është ndikuar nga manipulimi ose praktika të tjera që shtrembërojnë funksionin normal të tregut, apo kur formimi i çmimit është ndikuar nga ngjarje të jashtëzakonshme apo kur rregullimi i tij është i nevojshëm për shpëtimin ose ristrukturimin e një shoqërie në vështirësi.

Një pjesë e rëndësishme e ndryshimeve, sipas Musabelliut, lidhet edhe me rolin e AMF-së , si dhe vendosjen e detyrimeve të raportimit ndaj Komisionit Europian. Sipas tij, rr/ligji forcon kompetencat mbikëqyrëse dhe bashkëpunimin institucional të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare me institucionet simotra në vendet e BE-së.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›