E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Gjiknuri: Mundësojnë votën e shqiptarëve jashtë vendit

TIRANË, 26 korrik/ATSH-Maela Marini/ Përfaqësuesi i Partisë Socialiste për Reformën Zgjedhore në Grupin për Dialogun, Damian Gjiknuri deklaroi sot se me ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor është mundësuar vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend ku prezantoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Gjiknuri u shpreh se “pas dy viteve nuk arritëm të realizojmë një reformë të plotë zgjedhore të gjithëpranuar dhe që të adresonte të gjitha rekomandimet e ODIHR-it.

“Por me këtë pjesë të rëndësishme të legjislacionit zgjedhor adresohet vota e qytetarëve jashtë vendit, vota e diasporës dhe qartësia në mënyrën e kandidimit dhe shpërndarjes së mandateve bazuar në parimet e parashikuara në Kushtetutë”, tha ai.

Propozimi, sipas tij, zgjidh të gjitha boshllëqet e konstatuara në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për sa i përket votës së qytetarëve jashtë vendit.

“Çdo shtetas shqiptar që për një arsye pune apo shërbimi jeton për një kohë të gjatë jashtë vendit regjistrohet dhe voton në zgjedhjet e vitit 2025. Dokumentacioni i regjistrimit përmban çdo informacion të nevojshëm. Gjithçka do të realizohet përmes një platforme elektronike që mundësohet nga KQZ. Listat do të jenë gjithmonë publike në KQZ”, shtoi a.

Gjiknuri theksoi se KQZ do të përgatisë materialet zgjedhore dhe vota do të llogaritet në qarkun ku votuesi ka pasur vendbanimin e fundit.

“KQZ miraton aktet nënligjore dhe infrastrukturën e nevojshme që mundëson procesin. Përfitoj nga rasti t’i bëj thirrje faktorëve politikë të mbështesin KQZ-në në këtë proces delikat e të rëndësishëm. Paketa ligjore që miratojmë sot zgjidh të gjitha boshllëqet. Projekti përcakton që çdo shtetas shqiptar jeton për një kohë të gjatë jashtë vendin do të mund të regjistrohet dhe të votojë në zgjedhjet e 2025. Dokumentacioni i regjistrimit do të përmbajë çdo informacion të nevojshëm dhe gjithçka do të ndërtohet nëpërmjet një platforme elektronike. Ky proces mundëson integritetin e të dhënave”, tha ai.

Duke u ndalur te sistemi i paraqitjes së listave dhe shpërndarjes së mandateve nga subjektet zgjedhore, Gjiknuri theksoi se propozimi që kemi dakordësuar është ai i sistemit miks, bazuar në parimin jo më pak se 2/3 e listës i nënshtrohet votimit preferencial/

“Çdo propozim i kësaj natyre prek interesa politike ndaj ka pasur reagime. Kjo ndërhyrje u diktua nga shfuqëzimi i herësit nga gjykata. Në 2021 vetëm 3 kandidatë nga 140 thyen hersin, por me formulën e propozuar janë 40 mandate në lojë të hapura”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri theksoi se ky është një produkt i dakordësuar duke shënuar një hap të rëndësishëm para.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›