Ndryshimi i Kodit Zgjedhor, Balla: U hoq pengesa e fundit për votën historike të diasporës

TIRANË, 17 shkurt/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin njëherësh Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, ka reaguar pas votimit në Parlament të ndryshimeve të reja në Kodin e Ri Zgjedhor, që lehtësojnë votën e Diasporës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Balla deklaron se u hoq edhe pengesa e fundit për votën historike.
“Kuvendi i Shqipërisë sapo miratoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor për mbulimin e shpenzimeve nga KQZ i dërgimit dhe i kthimit me postë të fletës së votimit dhe materialeve të tjera informuese; zgjerimi deri në 60 i afatit të regjistrimit të kandidatëve për të mundësuar më shumë kohë për dërgimin dhe kthimin e fletëve të votimit; për procedurën e numërimit dhe vlerësimit të votave nga jashtë, procedurat e ankimimit, etj”, u shpreh Balla.
Prandaj, vijoi Balla, “ju lutem regjistrohuni në www.kqz.gov.al”.
Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor me 108 vota pro, përfshi ato të opozitës e cila më herët kishte kërkuar edhe përdorimin e dokumenteve të vendit ku emigrantët jetojnë për të votuar. /k.s/j.p/