Ndryshimi i klimës kërkon përgjigje globale

Ndryshimi i klimës është një sfidë e përbashkët me të cilën përballet njerëzimi dhe kërkon një përgjigje globale, tha përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB Zhang Jun, bën të ditur Radio e Jashtme e Kinës.
Duke vënë në dukje se marrëdhënia midis klimës dhe sigurisë është shumë komplekse, Zhang u shpreh se Këshilli i Sigurimit, në bazë të mandatit të vet që buron nga Karta e OKB-së dhe agjenda e tij, duhet të angazhohet në mënyrën dhe shkallën e duhur në diskutimin dhe trajtimin e çështjeve që lidhen me klimën dhe sigurinë.
Është e domosdoshme që të ruhen kanalet kryesore për bashkëpunimin ndërkombëtar mbi ndryshimin klimatik, tha përfaqësuesi kinez në një debat të hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi klimën dhe sigurinë.
“Ne duhet t’i shohim Konventën dhe Marrëveshjen e Parisit si platformat kryesore dhe të respektojmë të drejtën e të gjitha vendeve për të folur në mënyrë të barabartë për çështjet e ndryshimit të klimës. Do të ishte e papërshtatshme që Këshilli i Sigurimit, si forum, të zëvendësonte vendimmarrjen kolektive nga bashkësia ndërkombëtare,” vuri në dukje Zhang Jun.
Është thelbësore që vendet e zhvilluara të përmbushin detyrimet dhe angazhimet e tyre ndërkombëtare e të mbajnë përgjegjësi historike për ndryshimet klimatike, vazhdoi diplomati. “Në diskutimin e ndryshimeve klimatike, pavarësisht nga platforma ose këndi, ne nuk duhet ta harrojmë këtë fakt shumë themelor,” tha Zhang.