E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshon kriteri i të ardhurave për banesat me kosto të ulët, zgjerohet numri i përfituesve

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Qeveria propozon zgjerimin e numrit të familjeve që mund të përfitojnë nga programi i banesave me kosto të ulët, përmes ndryshimit të kriterit të të ardhurave në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për strehimin social’”.

Konkretisht, kufiri i të ardhurave për përfitim propozohet të rritet nga 1/6 në 1/2 e vlerës mesatare të banesës në treg, duke u dhënë mundësi të aplikojnë edhe familjeve me të ardhura të moderuara dhe shtresës së mesme që aktualisht e kanë të vështirë të përballojnë çmimet e tregut.

Referuar këtij dokumenti, projektligji synon gjithashtu modernizimin e kuadrit ligjor për strehimin social, përmes krijimit të instrumenteve të reja financiare, zgjerimit të burimeve të financimit dhe rritjes së efektivitetit të programeve të strehimit.

Sipas relacionit shoqërues, ndryshimi i kriterit ekonomik vjen si përgjigje ndaj rritjes së vazhdueshme të çmimeve të banesave dhe synon ta përshtatë programin me realitetin aktual të tregut, duke zgjeruar bazën e përfituesve.

Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e mekanizmit të Garancisë Sovrane për kreditë e lehtësuara të strehimit, zhvillimin e projekteve të banimit me destinacion të kombinuar, si dhe rritjen e rolit të sektorit privat në krijimin e fondit publik të banesave sociale.

Sipas qeverisë, ndryshimet pritet të rrisin aksesin e qytetarëve në strehim të përballueshëm dhe të krijojnë një model më të qëndrueshëm për financimin e programeve të strehimit social.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›