E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Deçan kundërshtohet vendimi i Dhomës së Posaçme

Në organizim e shoqërisë civile dhe të përkrahur nga të gjitha subjektet politike, të komunës, sot në sheshin “Mentor Tolaj” në Deçan është mbajtur protestë gjithë popullore në shenjë reagimi pas vendimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, për faljen e pronave për 23 hektarë të dy ndërmarrjeve publike, “APIKO” dhe “ILIRIA”, Manastirit të Deçanit.

Ditë më parë, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, ka fuqizuar një marrëveshje mbi faljen e pronave të dy ndërmarrjeve publike “Apiko” dhe “Iliria”, prona këto të dhuruara Manastirit të Deçanit, në vitin 1997, nga regjimi i Millosheviqit.

Ndërsa më vonë këto prona, pas largimit të forcave serbe nga Kosova, janë uzurpuar nga zyrtarët e UNMIK-ut, përmes Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit dhe personelit të manastirit, duke mohuar të drejtën e punëtorëve të këtyre dy ndërmarrjeve në qasje të këtyre objekteve, ku për vite të tëra kishin siguruar bukën e gojës, raporton RTK. 

Ndërkaq gjatë gjithë kohës së protestës në qendër të Deçanit janë vërejtur forca të shtuara të policisë së Kosovës. Policia ka bërë të ditur se në protestë kanë marrë pjesë më se 1300 qytetar, në mesin e tyre edhe lider dhe deputet.

Policia ka thënë se ka ndërmarrë të gjitha veprimet policore për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike,me qëllim që protesta të kalojë e qetë dhe pa incidente. Protestuesit janë shpërndarë të qetë dhe kjo protestë ka kaluar pa incidente./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›