E Diel, 1 Nëntor 2026

“Në Kohë Reale” – Margherita Shllaku rrëfen emocionet për pjesëmarrjen në Fest 64

Këngëtarja Margherita Shllaku ka qenë e ftuar në emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH1, ku ka ndarë emocionet dhe përgatitjet për pjesëmarrjen e saj në edicionin e 64-të të Festivalit të Këngës. Artistja tregoi se bashkëpunimi për këngën e saj të festivalit ka nisur nga një njohje e thjeshtë në rrjetet sociale me këngëtaren dhe kompozitoren Beatriçe.

“Unë dhe Beatriçe jemi njohur në Shkodër, jemi parë në Instagram, kemi ndjekur njëra tjetrën dhe në një moment kam marrë guxim dhe i thash se kisha dëshirë që të më shkruante një këngë. E bëri këngën dhe më pëlqeu shumë, i thash se kisha qejf të merrja pjesë në festival me këtë këngë. Këngën e ka shkruar Beatrice dhe Marcelo Batelli. Unë studioj në Itali në konservator për kanto-jazz”, u shpreh Margherita.  

Ajo zbuloi se kënga i përket zhanrit pop-alternativ dhe trajton momentet e errëta që njerëzit mund të përjetojnë gjatë jetës, duke dhënë një mesazh motivues.

“Zhanri i këngës është pop-alternativ, është për momentet e errëta që njerëzit mund të kalojnë në jetë. Është një thirrje që i thotë njerëzve çohuni dhe shikoni jetën si është në të vërtet”, tha ajo.

Shllaku pritet të vijë në Festivalin e 64-të me një interpretim të ndjerë dhe një këngë që mbart forcë dhe reflektim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›