E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në Korçë ka nisur aplikimi i modelit të ri të recetave, më shumë siguri për qytetarët

Që prej 1 gushtit në të gjitha qendrat shëndetësore ka nisur përdorimi i formatit të ri të recetave mjekësore, me synim përmirësimin e shërbimit dhe rritjen e sigurisë për pacientët.

Mjekja Yzerina Çorrokaj thotë se modelet e reja janë më të detajuara dhe lehtësojnë procesin e përshkrimit e shpërndarjes së barnave.

“Receta e re ka hyrë në fuqi më 1 gusht. Është një recetë e unifikuar për të gjithë mjekët. Është recetë e kompletuar edhe për tipin e sëmundjeve akute dhe ato kronike. Avantazhi i pacientit është se kjo recete mund të shkojë për një periudhë deri në 6-muaj. Mund të ekzekutohet në çdo farmaci që ka kontratë me Fondin e Sigurimeve dhe përmban të gjithë elementët”, tha mjekja.

Formati i ri i recetës mjekësore ka edhe elementë të tjerë teknikë të rëndësishme si vendosja e emrit gjenerik të barit, tipi i recetës për pacientët me sëmundje akute apo kronike, si dhe vendosja e emrit dhe vulës së farmacistit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë ky ndryshim do të ndihmojë në standardizimin e recetave, shmangien e gabimeve gjatë leximit nga farmacistët dhe në ndjekjen më të saktë të historikut të trajtimit për çdo pacient.

Ky hap shihet si një tjetër masë drejt modernizimit të sistemit shëndetësor dhe ofrimit të një shërbimi më të sigurt e më efikas për qytetarët.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›