Në Kosovë 2.2 Euro në Shqipëri 22 Euro/ Koncesioni i pullave fiskale përfundon në dhjetor 2024. Po më pas?!

Pas 13 vitesh, kontrata e koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave si autoritet kontraktues dhe shoqërive “Sicpa Security Solutions S.A.” e “Sicpa Security Solutions Albania sh.p.k.”, per projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e te pullave te kontrollit te barnave përfundon më datë 31 dhjetor 2024.
Ministria e Financave ka hartuar projektligjin, sipas të cilit nga data 1 janar 2025, propozohet qe prodhimi dhe shpërndarja e pullave fiskale te kryhet nga një person i autorizuar nga Këshilli i Ministrave.
Gjithashtu, për efekt të rëndësisë qe kane elementet e sigurisë se pullave fiskale propozohet që këta elemente te përcaktohen me VKM.Sa i përket procedurës se porositjes se pullave fiskale, ajo mbetet e njëjtë, por pagesat e çmimeve te pullave fiskale dhe kostove të dërgesave do t’i paguhen personit te autorizuar nga Këshilli i Ministrave.