E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Kryezi të Fushë Arrëzit: Ndrek, fike radion se më more në qafë, m’i le fëmijët në rrugë të madhe!

Jemi në Kryeziun e Mjedës dhe Gjeçovit, në një bujtinë, me xhublete e televizor Lura, kujtime të kohëve te largëta.

I zoti i bujtinës, Angjelin Bibaj, na thotë se familja është nga “dera e bajraktarit”.

Fshati Kryezi ka 12 fise dhe dy besime fetare, myslimanë dhe katolikë. Angjelin Bibaj, ka provuar emigrimin e viteve 90’ në Greqi, rrahjet nga policia dhe izolimin ne qeli atje. Ai kujton amanetin e babës: Mos e harro vendin tënd! Kryeziu ka një numër ushqimesh tradicionale, por specialiteti, që nuk e gjen askund tjetër është patatja turshi.

Vitet e komunizmit ishin të vështira në fshat. Angjelini na tregon sesi kur daja i tij kishte ardhur në shtëpi dhe hapte radion për të dëgjuar Zërin e Amerikës, babai i tij i thoshte: “Ndrek, fike radion se me more ne qafe, m’i le fëmijët në rrugë të madhe”.

Edhe Lush Lleshi ka provuar emigrimin në Greqi. “Emigrimi është shumë plagë e keqe, nuk duhen braktisur fshatrat, vendin tënd mos e harro,” na thotë.

Bashkëshortja Flora Lleshi, nuk e donte emigracionin. “Për qejf nuk shkoj të jetoj në Itali”, na thotë.

Lokja, Marie Zef Lleshi, ka qenë e fejuar nga prindërit që 5 vjeç dhe e pa burrin për herë të parë një ditë pas dasmës.

“Kisha dashtë me kenë edhe njëherë e re”, na thotë.

Në Kryezi gjendet edhe kisha e Shnapremtes ku ka meshuar Ndre Mjeda dhe po kështu, fshati ka ende te paret e Gjeçovit. Fshati ka shumë histori.

Gjyshi fanolist i Angjelinit ka shoqëruar Bajram Currin dhe u burgos nga mbreti Zog.

Në Kryezi banorët kanë filluar të kthehen  nga emigrimi në një fshat që ka pak bujtina, pak bujqësi, pak blegtori dhe shume histori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›