E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në Shëngjin blejnë të huajt, në dy vjet 300 apartamente janë blerë nga shtetas të huaj

Gjatë viteve të fundit, Bregdeti i Shëngjinit po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje, jo vetëm si një vend pushimesh, por edhe si një zonë tërheqëse për investime në pasuri të paluajtshme. Krahas blerësve nga Kosova, të cilët prej kohësh kanë treguar interes të lartë për apartamente në këtë zonë, së fundmi janë shtuar edhe kërkesat nga shtetas të huaj.

Çmimi i favorshëm, të qenit vend bregdetar dhe përmirësimi i infrastrukturës, janë ndër faktorët kryesorë që e bëjnë Shëngjinin një vend tërheqës për investime.

“Rreth 70% e klientelës është nga shqiptarët e Kosovës. Pastaj kemi një klientelë të huaj që janë italianë, gjermanë, polakë, çek deri në indianë“, deklaroi agjenti imobilar, Gentian Kola.

Krahas Shëngjinit edhe bregdeti i Talës pritet të jetë në qendër të vëmendjes së tregut imobilar, pasi në këtë zonë pritet të nisin një sërë projektesh të rëndësishme.

“Nga bregdeti i Tales presim shumë pasi do zhvillohen disa projekte. Talja ka një zhvillim me ritëm më të avashtë se sa bregu i detit të Shëngjinit. Por nga bregu i detit të Tales pretendojmë shumë sepse besoj shumë shpejt do zhvillohen disa projekte shumë të mëdha dhe besoj se aty do ketë një treg shumë të mirë”, u shpreh Kola.

Sipas të dhënave zyrtare gjatë dy viteve të fundit në zonën turistike të Shëngjinit janë blerë rreth 300 apartamente nga shtetas të huaj, ndërsa interesi për pasuri të paluajtshme është gjithnjë në rritje.

/RTSH/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›